Thirrjes së bashkëshortit të Rexhina Debrovës për homazhe i janë përgjigjur edhe gratë shqiptare të cilat jetojnë në Itali. Të enjten, teksa familjarë e qytetarë të shumtë ndezën qirinj dhe njëkohësisht protestuan para spitalit të Elbasanit, në Ravenna një grup nënash shqiptare ndezën qirinj në spitalin e Faenza.

Në redaksinë e tvklan.al ato përcollën disa fotografi nga ky homazh-protestë. Nënat shqiptare në Italinë fqinje thonë se kërkojnë drejtësi për Rexhinën dhe për të gjitha nënat shqiptare.

“Për homazhin-protestë për Rexhinën jemi mbledhur edhe në Itali… Jemi nëna me fëmijë vetë dhe kemi ndezur një qiri për Rexhinën në orën 10:00 të ditës 25-04-2019 në spitalin Faenza-Ravenna. Duam drejtësi për Rexhinën dhe për gjitha nënat e popullit shqiptar, se kemi frikë të shkojmë në spitale…”,shprehet një shqiptare, e cila jeton në Itali.

Gratë iu përgjigjën thirrjes së bashkëshortit të së ndjerës, i cili të mërkurën në një postim në rrjetet sociale, shkruajti:

“Miqtë e mi, përtej dhimbjes që po kaloj nga humbja e njeriut më të mrekullueshëm që kam njohur në jetë, bashkëshorten time.. Ju njoftoj se ditën e nesërme në orën 10:00 mblidhemi para spitalit për të bërë një homazh për REXHINEN… Dhe për shpirt të Rexhinës të dalë e vërteta e (vrasjes së Rexhinës në sallën e operacionit…)”.

Rexhina Debrova u shua 1 orë pas lindjes së vajzës në Maternitetin e Elbasanit më 22 Prill. Familjarët fajësojnë mjekët për mjekim të pakujdesshëm. Kjo çoi edhe në arrestimin e dy prej tyre. Megjithatë, gjykata e Elbasanit i la në “detyrim paraqitje” dy mjekët Mehmet Ibaj dhe Niko Thana, deri në përfundim të hetimeve. Ata i kanë mohuar akuzat për mjekim të pakujdesshëm dhe thonë se 25-vjeçarja ndërroi jetë pasi pësoi komplikacion postoperator./tvklan.al