“Mbani premtimin e dhënë për futbollin”

Pas kërkesave të vazhdueshme të Ligës Profesioniste të Futbollit për rishikim të ligjit të sportit Kryeministrit Edi Rama i është drejtuar Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Me anë të letre të hapur Duka i kujtoi që të mbajë premtimin e dhënë në Mars të 2019 ku në një tavolinë të përbashkët tha se brenda 100 ditësh kërkesat e komunitetit të futbollit do të ktheheshin në realitet.

Armand Duka kujton se kjo iniciativë është e hershme dhe se gjatë këtyre viteve nuk ka gjetur bashkëpunimin me Ministrinë e Financave. Duka thotë se futbolli nuk kërkon lemoshë, por investime me sigurinë e garantuar, që ato do të kthehen katër herë më shumë në arkat e shtetit.

Në letrën e tij presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit i përmend kreut të Qeverisë se Ligji i Sponsorizimit aktualisht nuk është favorizues për futbollin dhe në përgjithësi për sportin.

Duka jep shembullin e mirë të Hungarisë, Gjermanisë apo akoma më pranë në Malin e Zi dhe Kosovë. Armand Duka thotë se nuk vlejnë takimet e tejzgjatura, por një vullnet i mirë i Kryeministrit që të ndërpritet bojkoti i futbollit.

Tv Klan