Jordani erdhi në botë duke u dridhur, në një dyshek të hollë, krah tualetit, brenda një burgu të pistë të Denverit më 31 Korrik të 2018-s. Nëna e tij 26-vjeçare, Diana Sanchez, ka vendosur tashmë që të padisë qytetin e Denverit dhe zyrtarët e burgut, pasi thotë se e lanë të ulërinte në agoni për orë të tëra, pa anestezi, pa mjekë, pa familjarët, apo një person që ta ndihmonte për të sjellë në jetë beben e saj.

Sipas autoriteteve policore në Denver, ajo ishte izoluar në paraburgim, dy javë përpara së të sillte në jetë foshnjen, për akuza që lidheshin me vjedhjen e identitetit.

Në pamjet e publikuara së fundmi në mediat ndërkombëtare, të marra nga kamerat e burgut, Sanchez mund të shihet teksa sjell në jetën djalin e saj rreth orës 10:44 të paradites, gati 6 orë pasi i kishte thënë një gardiani të burgut se i kishin ardhur dhimbjet e lindjet.

Roja raportohet se refuzoi që ta ndihmonte 26-vjeçaren kur i plasën ujërat, një orë pasi i kishte thënë gjendjen në të cilën ndodhej.

Momente më vonë Jordan erdhi në jetë, përpara se një infermier që po e shihte Sanchez nga jashtë qelisë, u fut për të kapur beben e porsalindur.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja DailyMail, Sanchez rrëfeu se deri në atë moment, stafi i burgut kishte refuzuar që të njoftonte një ambulancë për të.

“U ndjeva totalisht e vetme. Asnjë nuk më ndihmoi. Kishte kaq shumë njerëz aty dhe askush nuk lëvizi gishtin për të më ndihmuar”, tha nëna e re disa ditë pas ngjarjes. “Dhimbja ishte e pa përshkrueshme, por ajo që dhemb më shumë është fakti që askujt nuk ia ndjeu”.

Sanchez dhe avokati i saj dorëzuan një padi të mërkurën, ku pretendojnë se stafi i burgut e dinte që ajo po lindte, por vendosën me ndërgjegje të plotë që të mos e dërgonin në spital sepse nuk u leverdiste.

“Padia ka si qëllim të vejë para drejtësisë zyrtarët që në mënyrë të pashpirt zgjodhën çfarë u leverdiste mbi dhembshurinë”, thuhet në padi.

Por ndryshe pretendojnë zyrtarët e burgut. Një zëdhënëse e Departamentit të Sherifit në Denver tha se pas lindjes ishte urdhëruar një hetim mbi sjelljen e stafit të burgut, nga ku kishte rezultuar se sjellja e tyre kishte qenë në konform me rregulloren.

Megjithatë, që prej këtij rasti departamenti ka saktësuar që stafi duhet të thërrasë një ambulancë kur një e burgosur është me dhimbje lindje./tvklan.al