Për 20 minuta, zemra e Michael Pruitt kishte pushuar. I riu nga Farmington Hills, Michigan, po ndihmonte njerkun e tij në ndërtimin e një shtëpie kur preku aksidentalisht me shkallët metalike që mbante në krahë një tel elektrik. “Mbaj mend që më zuri korrenti ndërkohë që mbaja shkallët dhe u drodha, pastaj asgjë”, rrëfeu 20-vjeçari.

Punonjësit e shërbimit të shpejtë, me të mbërritur në vendngjarje performuan CPR (Reanimimi Kardio-Pulmonar), më pas Pruitt u dërgua me urgjencë në spital.

“Sollën këtë një djalë të ri, i cili nuk kishte shenja jete”, tregoi Dr Angel Chudler. “I thashë kolegëve të mi: Do ta sjellim në jetë këtë djalë!”

Zemra e Pruitt u trondit me defibrilator, por nuk ndodhi asgjë. Herën e dytë Chudler përdori një shok edhe më të fortë dhe zemra e 20-vjeçarit nisi të rrihte brenda 2 minutave.

“Kur rifitoi ndërgjegjen sërish, ishte si Hulku. Nisi të kapte hekurat e shtratit dhe ta lëkundte atë me shumë forcë. U desh ndërhyrja e gjithë stafit mjekësor që ta mbanin”, tregoi një prej infermiereve.

Ndërsa drejtuesja e Shërbimit të Traumës në Spitalin Beaumont shpjegoi përse rasti i 20-vjeçarit ishte një mrekulli.

“Në më pak se 5 minuta, qelizat e trurit nisin të vdesin nga mungesa e oksigjenit. ‘Ringjallja’ e Michael është mrekulli. Ai nuk humbi asnjë funksion të trurit”.

Megjithatë tensioni i lartë i energjisë elektrike që përshkroi trupin e të riut nuk kaloi pa pasoja. Ai pësoi djegie nga brenda tek gishtat e mëdhenj të këmbëve, ndërsa efektet që mund të ketë në shëndetin e tij mund të shfaqen me kalimin e kohës. Sot për sot, ai është me fat që është gjallë./tvklan.al