Doza përforcuese 6 muaj pas vaksinimit përfundimtar

Rregullatori Europian i Barnave njoftoi të hënën se po analizon të dhënat mbi dhënien e një doze përforcuese për vaksinën kundër COVID-19 nga Pfizer/BioNTech, që do të jepet gjashtë muaj pas dozës së dytë tek grupmosha 16 vjeç e lart.

Gjiganti farmaceutik paraqiti një kërkesë pranë Agjencisë Europiane të Barnave (EMA) për dhënien e dozës së tretë përforcuese të vaksinës. Tani agjencia tha se do të kryejë një analizë të shpejtë të të dhënave, rezultati i të cilës pritet “brenda javëve të ardhshme”.

Të premten, firma Moderna me seli në Shtetet e Bashkuara njoftoi se kishte kërkuar gjithashtu nga EMA miratimin me kusht të një doze përforcuese 50 mikrogramëshe të vaksinës së saj kundër koronavirusit. Vaksinat me dy doza të Moderna-s dhe Pfizer janë të bazuara në teknologjinë e re mARN.

EMA tha të hënën gjithashtu tha se po analizonte të dhënat mbi përdorimin e një doze shtesë të vaksinave mARN tek personat me sistem të dobët imunitar. Rezultati i shqyrtimit do të jepet në kohën e duhur, tha rregullatori.

Javën që kaloi, Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve tha se nuk kishte nevojë urgjente për doza përforcuese të vaksinave kundër COVID-19 për të vaksinuarit me dy doza.

Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara janë duke u përgatitur për të filluar doza përforcuese, pasi eksperti i lartë amerikan i sëmundjeve infektive Anthony Fauci tha të dielën se ka të ngjarë që së shpejti enti rregullator të japë miratimin për dozën përforcuese të vaksinës Pfizer.

Klan News