Kryeministri Edi Rama prezantoi me radhë emrat që do të kryesojnë listat e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit. Rama tha se emrat që kryesojnë këto lista janë vendosur pa asnjë debat. Pjesa më e madhe e tyre janë gra dhe vajza.

Edona Bilabi-Shkodër

“Edona Bilabi është vendi i parë në listën e Shkodrës. Një personazh shumë i respektuar i komunitetit. Një vajzë e përfshirë prej vitesh në projekte me donatorët, në mbështetje dhe nxitje të krijimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të start-up. Pedagoge për vite me radhë në lëndën e ekonomisë dhe aktualisht doktorante në Austri për Marrëdhënie Ekonomike, Ndërkombëtare dhe Administrim Biznesi. Është një prurje krejt e re, vjen nga aktivizmi në komunitet, të rinjtë dhe të rejat në Shkodër e njohin, por besoj shumë që e njohin edhe të tjerë, sikundër nuk besoj, por është e saktë, është fakt, nuk është opinion, që në përgjithësi gjithë rrjeti i biznesit në Shkodër e njeh pikërisht sepse punon me ta”.

Pranvera Resulaj-Vlorë

“Pranvera Resulaj është vendi i parë në Vlorë. Pranvera është një kandidate e mbështetur me shumë këmbëngulje nga i gjithë komuniteti i biznesit të Vlorës dhe arsyeja e konsideratës për këtë këmbëngulje të tyre është se Pranvera ka qenë për një periudhë kohe drejtore e Tatimeve në Vlorë dhe një drejtore Tatimesh që gëzon gjithë atë reputacion, për të cilën thuhen fjalët më të mira si një shërbëtore të biznesit meriton respekt, por në këtë rast, duke qenë se përputhen më së miri për ne edhe njohja që kemi për Pranverën, por edhe këmbëngulja që vjen nga i gjithë komuniteti, ajo do të jetë në vendin e parë të listës së Vlorës”

Greta Duraku-Kukës

“Greta Duraku, e cila do të jetë në vendin e parë në Kukës. Ajo është një grua e angazhuar prej vitesh në sektorin privat, si drejtuese, menaxhere në kompani të ndryshme dhe duke qenë se është paraqitur në platformën e “Deputeti që Duam” dhe duke qenë se performanca e saj aty ka qenë realisht shumë pozitive, marrë parasysh opinionin e qytetarëve, sepse për të gjitha këto, ne kemi matjet e opinioneve për të vlerësuar pëlqyeshmërinë e individëve, Greta do të jetë në Kukës.

Eni Zake-Korçë

“Eni Zake është vendi i parë në Korçë. Eni është administratore aktualisht e Universitetit Fan Noli të Korçës, anëtare e Këshillit Bashkiak. Pedagoge për shumë vite dhe në të njëjtën kohë me shumë aktivitet komunitar. Besoj që edhe në këtë rast komunitetit korçar i jepet një mesazh i qartë i përpjekjes për të përputhur atë çka ata dëshirojnë të kenë si vlerë të shtuar në skuadrën e PS”.

Lavdrim Krashi-Dibër

“Lavdrim Krashi është vendi i parë në Dibër. Është një emigrant profesionist, në sensin që prej vitit 1994 ka emigruar në Britaninë e Madhe. Është shumë i njohur dhe i respektuar nga komuniteti dibranë në veçanti në Londër, por edhe nga komuniteti shqiptar në përgjithësi. Një njeri shumë i përkushtuar ndaj njerëzve dhe mbi të gjitha me një rrugëtim shumë mbresëlënës që e ka çuar në nivelin e shërbëtorit publik, e nëpunësit publik në Bashkinë e Londrës, ku drejton një sektor të planifikimit dhe strehimit social. Është një mesazh edhe ky jo vetëm për komunitetin dibran por edhe për të gjithë komunitetin e madh të shqiptarëve emigrantë, dhe një ilustrim konkret i përpjekjes për ta çuar në një nivel tjetër punën tonë, marrëdhënien tonë me emigrantëve dhe marrëdhënien e tyre me Shqipërinë, pasi kemi hedhur një bazë goxha të mirë, mbi të cilën duam të ndërtojmë më tutje”.

Hatixhe Konomi-Berat

“Hatixhe Konomi, aktualisht nënkryetare në Bashkinë Berat, vendi i parë në Berat. Master në Menaxhim në Francë, një rrugëtim edhe zonja Konomi në sektorin e ndërmjetëm mes shtetit dhe privatit, atë të projekteve me donatorët dhe organizatat ndërkombëtare. Dhe sigurisht një mesazh kuptimplotë për komunitetin në Berat ku ne kemi shumë projekte në zhvillim dhe të tjera që do të iniciojmë. Në këtë sens, jo vetëm profili i kandidates së parë të qarkut të Beratit por edhe në tërësi profilet e reja janë të lidhura shumë me çfarë duam të bëjmë në vijim, jo thjeshtë me zgjedhjet apo me karriget e parlamentit.

Najada Çomo-Luljeta Bozo-Tiranë

“Këtë nuk e ndaja dot, dy fotografitë, nuk kemi mundësi të vemë dy njerëz në vend të parë kështu që në vend të parë faktikisht në Tiranë janë dy zonja shumë të nderuara që i njeh e gjithë Shqipëria. Dy simbole të dy momenteve shumë dramatike për Shqipërinë. Dy gra që kanë arritur t’i përçojnë komunitetit një përmasë të prekshme përkujdesjeje dhe dashurie dhe natyrisht dy profesioniste fantastike të cilat do të jenë shumë të vyera për ne. Por përtej këtij fakti, unë jam shumë krenar që PS në këto prurje të reja, u jep mundësi pensionisteve/ëve të Shqipërisë që për herë të parë në historinë e pluralizmit të kenë deputeten e tyre në parlament. U jep mundësinë gjyshërve dhe gjysheve, që për herë të parë të ndjehen të përfaqësuar nga kategoria e tyre shoqërore dhe për herë të parë të mos kenë thjeshtë të tjerë që flasin për ta, por të kenë një prej tyre që i përfaqëson ata. Jo vetëm kaq, por është edhe një mesazh i bindjes sime se nuk është mosha që sjell të renë gjithmonë. ka të reja e të rinj që mund të jenë 274 vjeç në mendje dhe ka të moshuar që janë 20-vjeçarë në mendje, siç është zonja Luljeta, të cilës i jam shumë mirënjohës për pranimin e kësaj ftese që tregon energjinë dhe pasionin për Shqipërinë. Sepse nuk ka asnjë arsye tjetër që një stërgjyshe të marrë rrugën e Kuvendit të Shqipërisë”.

Erion Braçe-Fier

“Është po kaq domethënës sa gjithë këta që unë prezantova edhe portreti që ju shikoni këtu që nuk besoj se ka nevojë për prezantime, por ka nevojë për të thënë që vendi i parë në qarkun e Fierit, është vendi i një socialisti të paepur në kushtet kur një tjetër socialist i paepur udhëheq qarkun dhe do luftojë tek kufiri. Ky ekip, kjo skuadër, nuk e tejkalon PS, por zgjeron kufijtë e PS”.

Evis Kushi-Elbasan

“Vendi i parë në Elbasan është Ministrja jonë e Arsimit. Një deputete që e nisi rrugëtimin e saj duke ardhur nga bota akademike, që ka bërë më të mirën në Kuvend për të përfaqësuar Elbasanin dhe PS dhe që si Ministre Arsimi, deri tani që flasim, është një nga surprizat më të mira të eksperiencës sime”.

Mirela Kumbaro-Gjirokastër

“Mirela Kumbaro do të jetë vendi i parë në Gjirokastër, ku faktikisht ne kemi objektivin bazë për dy deputetë dhe natyrisht i dytë do të jetë udhëheqësi i qarkut, Blendi Çuçi, ndërkohë që objektivi maksimal është 3 deputetë”.

Lindita Nikolla-Lezhë

“Lindita Nikolla do të jetë në krye të vendit në zonën e Kurbinit, në gjithë qarkun e Lezhës. Për arsye krejt të mirë kuptueshme, sepse unë besoj shumë fort që në atë zonë, gratë janë e ardhmja”.

Milva Ekonomi-Durrës

“Durrësi, prapë një grua, ilustrim i faktit që sapo thashë. Milva Ekonomi është durrsake denbabaden. Do ta ngjisim në Krujë për të përfaqësuar natyrisht gjithë qarkun e Durrësit, por dhe për t’u kujdesur në mënyrë të posaçme, për të gjithë atë zonë. Ndërkohë që besoj që për qytetarët e Durrësit, Milva është gjithçka që e kategorizon qytetarinë durrsake dhe unë i jam shumë i kënaqur që të qëndroj tek kufiri në një ndeshje ku Milva është në krye të listës.”/tvklan.al