Monedha e Euros prej ditësh është në tendencë rënëse në tregun e brendshëm vendas, ndërsa gjatë ditës së hënë ka zbritur në nivelin më të ulët të këtij viti.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë 1 euro u këmbye me 122.92 Lekë, nga 123.01 të premten e javës së kaluar.

Ky është niveli më i ulët Euros gjatë 2021 dhe në kuota të ngjashme me fundin e vitit të kaluar përpara festave të fundvitit.

Euro ka qenë e nënvlerësuar në tregun vendas, ndonëse në bursat ndërkombëtare ajo është në rritje që prej muajit Prill, duke u këmbyer me 1.22 Dollarë, niveli më i lartë që nga Shkurti.

Aktorët e tregut pohojnë se rënia e monedhës europiane në tregun vendas lidhet me faktorë të brendshëm, si oferta e lartë për Euro dhe kërkesa e ulët për to. Ndërsa oferta vjen nga një gjallërim i turizmit në vend, pasi javët e fundit ka patur ardhje të turistëve që kanë vizituar kryesisht bregdetin dhe zonat e muzeale.

Në rënie në tregun e brendshëm ishte dhe Dollari, që ka rënë me ritme më të larta sesa në bursa. Një Dollar u këmbye gjatë ditës së hënës me 101.1 Lekë, nga 101.89 Lekë të premten e javës së kaluar, duke u këmbyer në nivelet më të ulëta që nga fillimi i Janarit të këtij viti.

Javën e kaluar Dollari ra në nivelin më të ulët që nga mesi i 2018-s, për shkak të dhënave më të dobëta sesa priteshin për ecurinë e tregut të punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndryshe ndodhi me Paundin britanik dhe Frangën zvicerane që forcuan pozitat respektivisht me 0.66 Lekë dhe 0.02 Lekë.

Klan News