Britanikët mbështesin politikat e Johnson për Brexit

Boris Johnson duket se ka korrur një fitore bindëse në zgjedhjet e parakohshme të kësaj të enjteje në Britaninë e Madhe. Rezultatet e Exit Polleve, të publikuara menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 22:00 me orën lokale, tregojnë se konservatorët pritet të kenë 368 deputetë, 43 më shumë se numri i nevojshëm për të krijuar të vetëm qeverinë e re.

Rënie e mbështetjes popullore për laburistët, të cilët pritet të kenë 51 deputetë më pak krahasuar me legjislaturën e kaluar. 191 deputetë laburistë do të ulen në parlamentin e ri. Të tretët renditen nacionalistët skocezë, pas tyre liberaldemokratët. Sipas Exit Polleve, Partia e Brexit, e Nigel Farazhit nuk ka arritur pragun për t’u përfaqësuar në Parlament.

Një shumicë e tillë i konsolidon pozitat kryeministrit Johnson për të miratuar planin e tij të Brexit. Ai mbështet daljen e Britanisë nga BE, me ose pa marrëveshje, ndryshe nga opozita që ishte e hapur për një referendum të dytë që mund të anulonte Brexit. Pjesëmarrja në këto votime ishte më e larta në 20 vitet e fundit.

Zgjedhjet e kësaj të enjteje u mbajtën pas shpërndarjes së parlamentit më 6 nëntor, me nismën e kryeministrit Johnson, i cili nuk i kishte votat e nevojshme për miratimin e marrëveshjes së re me Brukselin.

Tv Klan