Të ftuar: Artan Hoxha dhe Klodiana Lala.

Veprimet e autorëve për të fshehur trupin e Jan Prengës, gazetarja: Pinë edhe cigare, mendonin se…

Gazetarja Klodiana Lala bëri publike të tjera detaje rreth rrëmbimit dhe vrasjes së 47-vjeçarit Jan Prenga. Gjatë emisionit “Opinion”, Lala tha se nëse nuk gjendet trupi i pajetë i Prengës do të jetë shumë e vështirë që autorët e dyshuar të ngjarjes të akuzohen për vrasje.

Ajo u shpreh se dosja tashmë i ka kaluar SPAK-ut, ndërsa vuri theksin tek agresiviteti i grupeve kriminale. Gazetarja tregoi se rrëmbyesit e Prengës kanë vepruar me një qetësi të jashtëzakonshme për zhdukjen e trupit të tij.

Sipas gazetares ata kanë fshirë gjurmët e gjakut, kanë përdorur solucione kimike dhe në fund kanë pirë edhe cigare. Lala tha më tej se autorët e kanë konsideruar veten të paprekshëm dhe se kjo histori do të mbyllej shumë shpejt.

“Pjesëtarët e grupit të hetimit më kanë folur për shumë detaje nga kjo video. Është një video shumë e gjatë. Të thashë vetëm me pengun janë marrë 27 minuta. Bëhet fjalë për orë të tëra filmime. Ju thashë tre ditë të sekuestruara. Por qetësia me të cilën kanë vepruar personat e dyshuar është e frikshme dhe vë një kambanë alarmi. Kanë vepruar aq qetësisht. Kanë hequr gjurmët e gjakut. Kanë marrë fshesën, kanë pastruar me solucion gjithë dyshemenë, makinat që kanë patur. Kanë hequr rrobat. Kanë pirë edhe cigare me një qetësi të jashtëzakonshme. Me sa kuptoj unë lidhet me faktin se e kanë konsideruar veten të paprekshëm dhe e kanë konsideruar si një histori që do të mbyllet”, tha gazetarja.

Telefonata nga burgu i Ekuadorit: Mos bëni gabim të luani me gjërat tona

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan është diskutuar mbrëmjen e sotme për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës më 17 Janar.

Në studio, gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur një pjesë të dosjes hetimore, mes të cilave një bisedë telefonike mes Gramoz (Dritan) Rexhepit nga burgu i Ekuadorit me Ndrek Prengën në burgun e Londrës, vëllain e pengut të vrarë Jan Prenga.

Sipas dosjes hetimore, të lexuar në studion e “Opinion” nga gazetarja, Gramoz Rexhepi i ka kërkuar Ndrek Prengës që të kthente ngarkesën me 260 kg kokainë.

Ndrek Prengën e ka marrë në telefon shtetasi i cili është prezantuar me emrin Gramozi nga Vlora ku i ka thënë Ndrekës mos bëni gabim të luani me gjëra, pra që nënkuptonte mallin, pra lëndën narkotike, pasi janë gjërat tona. Duhet të shpjegoj, thotë vëllai më tha, se Ndreka ka pasur në burgun ku ndodhet një telefon celular me të cilën ka filluar të komunikojë me personin nga Vlora që quhej Gramoz. Gramozi i ka thënë Ndrekës se ndodhej në një burg në Ekuador.

Gramozi gjithashtu i ka thënë se sasi prej 260 kg ishte e tij dhe e disa personave të tjerë. Gjatë kësaj kohe, Astriti bashkë me personin tjetër, Shullani, kanë arritur të komunikojnë dhe më pas. Ka patur telefonata mes Gentian Doçit dhe shtetasit Ndrek Prenga, i cili gjithashtu do të dijë se ku e ka vëllain, dhe ai thotë ju e dini ku e keni vëllain sepse keni prekur gjëra që nuk duhet të ndodhë. Prokuroria pretendon se të gjitha këto biseda i ka të regjistruara jo vetëm në celular, por edhe në përgjimet ambientale. Pra, në momentin që vëllai i Jan Prengës është kthyer në Shqipëri, ka kontaktuar dhe me pajtuesin e gjaqeve, por dhe ndërkohë ka mbajtur kontakte. Prokuroria shqiptare pretendon që i ka të përgjuara”, tha gazetarja Lala.

I afërmi i familjes Prenga ndërhyn në ‘Opinion’, replikon me gazetaren

Një i afërm i familjes Prenga ka ndërhyrë në emisionin “Opinion” në Tv Klan përmes lidhjes telefonike, teksa në studio po diskutohej për faktet e reja të rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës më 17 Janar.

Angjelin Prenga, djali i xhaxhait të Jan Prengës, ka replikuar me gazetaren Klodiana Lala, duke i kërkuar që të mos flasë në emër të familjes. Pretendimi i tij kishte të bënte me deklaratën e gazetares kur tha gjatë emisionit se “familja Prenga kishte kontaktuar me një pajtues gjaqesh”.

Por, Klodiana Lala i është kundërpërgjigjur duke thënë se nuk ka folur në emër të familjes Prenga, por ka lexuar dosjen hetimore të Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, ku janë të evidentuara të gjitha këto fakte.

Angjelin Prenga: Zonja Klodiana Lala foli disa herë në emër të familjes Prenga. Nuk e ka as tagrin, nuk ka as ndonjë prokurë të flasë në emër të familjes Prenga. Foli disa herë në emër të familjes Prenga.

Klodiana Lala: Ju referova pikë për pikë dosjes hetimore, pamjeve filmime të sekuestruara në resort, duke patur edhe mirësinë për të mos ju tronditur më shumë. Nuk e kuptoj në çfarë aspekti konsiston shqetësimi juaj?

Angjelin Prenga: Sepse për të disatën herë ju keni thënë që ne kemi pajtuar pajtues gjaqesh.

Klodiana Lala: Lidhur me ato çfarë unë kam deklaruar mbaj përgjegjësi ligjore.

Angjelin Prenga: Të gjitha këto që po thua i ke supozime moj zonjë. Ne nuk i disponojmë ato dokumente. Klodiana Lala tha disa herë që familja Prenga ka pajtuar pajtues gjaqesh. Unë thashë që ajo foli dy herë në emër të familjes Prenga. Lereni familjen të qetë. Neve nuk disponojmë asnjë dokument nga Prokuroria dhe Policia e Shtetit. Lala referoi në emër të familjes Prenga.

Klodiana Lala: Ndiq emisionin zotëri se po bëni debat pa kuptim.

/tvklan.al

Zbulim i rralle!