Rrjetet sociale i kanë shpallur një luftë Presidentit amerikan Donald Trump. Së fundmi Facebook ka hequr me dhjetëra reklama zyrtare të Presidentit Donald Trump për shkak se ato nxisin urrejtje në lidhje me simbolet që përdoren brenda tyre.

Kreu i Politikës për Sigurinë i Facebook-ut, Nathaniel Gleicher është shprehur se ky rrjet social nuk lejon që të përdoren simbole që përfaqësojnë organizata që mbështesin urrejtjen apo ideologji të urrejtjes.

Reklamat përmbanin një trekëndësh të kuq i kthyer përmbys, të njëjtin simbol që dikur përdorej nga nazistët për të identifikuar të burgosurit politikë dhe komunistët.

Ndërkaq të tilla reklama janë shfaqur edhe në llogarinë e zv/Presidentit Mike Pence. Burime nga brenda Shtëpisë së Bardhë tregojnë se përdorimi i trekëndëshit të kuq kishte si qëllim të tregonte rreziqet që ka Antifa por që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me të burgosurit e kampeve naziste.

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë thirrje që organizata Antifa që përdor të tilla simbole të shpallet si një organizatë terroriste dhe që është përfshirë në akte të dhunshme gjatë demonstrave të fundit në Shtetet e Bashkuara, të cilat u nxitën pas vrasjes së afrikano-amerikanit Floyd.

Nga ana tjetër Facebook është shprehur se edhe organizata ADL që mbron të drejtat e hebrenjve që prej kohësh lufton paragjykimin dhe diskriminimin ka përdorur të tilla reklama.

Jonathan Greenblatt që është edhe kreu i kësaj organizate ka akuzuar rrjetin social për shpifje pasi në bazën e të dhënave të ADL nuk gjendet asnjë simbol nazist por vetëm simbole që përdoren nga ekstremistët modernë.

Kjo nuk është hera e parë që presidenti amerikan krijon konflikte me mediat sociale. Ishte si fillim Tëitter që hoqi disa prej postimeve që i cilësonte potencialisht mashtruese dhe më pas Snapchat që hoqi po ashtu disa shkrime të tij ku nxitej dhuna racore.

Tv Klan