Fansat e akuzojnë belgun se do vetëm paratë, lojtari në Londër për të firmosur me Chelsea

Dikur Romelu Lukaku ishte idhulli i tifozëve zikaltër, kurse tani respekti ka humbur. Belgu do të bëhet pjesë e Chelsea, por fansat mendojnë se ai nuk e kishte në zemër ekipin, por vetëm paratë.

Tifozët e Interit nuk mund ta pranojnë që edhe Romelu Lukaku vendosi të largohet nga skuadra. Të inatosur, ata shkarravitën një pjesë të muralit të vizatuar jashtë stadiumit “San Siro”.

Belgu ndodhet në Londër, ku do të firmosë një kontratë të re me Chelsea, ndërsa Interi do të përfitojë 115 milionë Euro nga shitja e tij.

Tifozët ultras të Interit në një reagim në Facebook shkruan se prisnin një sjellje më të ndershme dhe transparente nga lojtari.

Sipas tyre, Lukaku, edhe pse u mbrojt nga ata sikur të ishe pjesë e familjes, në fund u përul para parave e kjo për ta është e papranueshme.

Belgu do të firmosë një kontratë pesë vjeçare, ku do të përfitojë 200 mijë Paund neto në javë. Rroga e tij te zikaltrit ishte rreth 140 mijë Paund në javë.

Lukaku u bë pjesë e Interit në vitin 2019 dhe ai shënoi 30 gola duke ndihmuar ekipin ta fitonte titullin kampion pas 11 vitesh. I pyetur nëse kishte një mesazh për tifozët zikaltër, lojtari u përgjigj se do t’u dërgonte një mesazh pas disa ditësh.

Klan News