UEFA ka kërcënuar autoritetet britanike se nëse nuk heq karantinën atëherë do ta zhvendosë finalen në Hungari

UEFA ka kërcënuar se do ta zhvendosë finalen e Euro 2020 në Hungari, nëse qeveria britanike nuk e ndryshon vendimin për karantinimin e 2500 zyrtarëve VIP që do të jenë në Londër për përballjen e madhe.

Gjysmëfinalet dhe finalja e turneut do të luhen në stadiumin “Wembley”.

Por qeveria britanike ka vendosur kufizime për të gjithë personat, të cilët futen në ishull për shkak të pandemisë.

Institucioni numër 1 i futbollit evropian në një deklaratë sqaroi se shpreson që çështja do të zgjidhet, por ajo e ka edhe një plan B.

UEFA kërkon që nga qyteti organizator të merren masat e nevojshme që për finalen të ketë tifozë, zyrtarë, e po ashtu drejtues të rëndësishëm të korporatave, të interesuar për këtë takim me kaq rëndësi.

Kjo ka bërë që ministrat britanikë të diskutojnë një propozim për të përjashtuar zyrtarët e UEFA-s dhe të FIFA-s, politikanët, sponsorët dhe përfaqësuesit e medias nga karantinimi.

Në bazë të rregullores, të gjithë personat që vijnë nga shtetet e konsideruara të rrezikshme, do të duhet që të izolohen për 10 ditë përpara se të mund të lëvizin.

Çdo shtet, kombëtarja e të cilit merr pjesë në Evropian është në listën e rrezikut të Britanisë së Madhe.

UEFA ka propozuar që tifozët dhe zyrtarët e përfaqësuesit e mediave t’i nënshtrohen një procesi testimi dhe izolimi strikt, për të shmangur çdo të papritur.

Në stadiumin “Wembley” do të lejohet që të përdoret 50% e kapacitetit.

Klan News