Fitoi çmimin e madh të festivalit “Kënga Magjike”, por Eneda Tarifa pranon se nuk e pati të lehtë të këndonte, pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit. Nga studio e “Opinion”, që e bëri atë pjesë të personazheve të vitit 2019, këngëtarja tha se muzika është një profesion i bukur që e shoqëron dhe zbukuron jetën e njeriut edhe në momente të vështira.

“E pata të vështirë që në momentin që na u tha që Kënga Magjike do të zhvillohet në të gjithë atë kaos. Unë isha larguar nga qyteti i Tiranës. Sigurisht që pata frikë, janë fenomene natyrore që trembin, nuk janë të kollajta. Unë jam kati i gjashtë dhe vërtet që u tund shumë. Pata shumë vështirësi të këndoja atë ditë, por ky është profesioni ynë. Unë kam zgjedhur të jem këngëtare, nuk kam në dorë të shpëtojë jetë njerëzish, por është një profesion shumë i bukur që e shoqëron dhe e zbukuron jetën e njeriut, edhe në ato momente kur mendon se gjithçka është në kllapi”.

Tarifa zbuloi dhe pyetjen e saj të jetës.

“Është pyetja ime e gjithë jetës. Kush quhet profesion, ai për të cilin ti studion apo ai për të cilin ti investohesh dhe ushtron gjatë gjithë jetës tënde, që në këtë sens unë më shumë jam këngëtare, edhe pse kam mbaruar filozofi, një degë që unë kam dashur, por nuk mund të jesh filozofe, kanë vdekur filozofët. Vetëm një njoh unë në Shqipëri që është Artan Fuga. Për më tepër eksperienca dhe bota akademike të bën të arrish drejt filozofisë, por unë nuk besoj që është më një degë është degë luksi i themi ne. Por mua më ka ndihmuar jashtëzakonisht, më ka hapur mendjen është fizkultura e mendjes më ka ndihmuar në profesionin tim si këngëtare, si prezantuese gjithashtu”./tvklan.al