Ngjarja ndodhi në dyqanin e çiftit

Një 59-vjeçare u vra në mënyrë makabre nga bashkëshorti i saj paraditen e kësaj të mërkure në lagjen 12 të Durrësit. Ruzhdi Tosuni goditi për vdekje me levë hekuri bashkëshorten e tij Hajdije Tosuni, në  dyqanin e metrazheve në pronësi të çiftit.

Mësohet se bashkëshortët, prindër të tre vajzave, fillimisht kanë debatuar, por situata ka agravuar dhe burri ka goditur disa herë me levë 59-vjeçaren, e cila ka humbur jetën në vend. Pas krimit ai ka njoftuar policinë, duke pritur uniformat blu në trotuarin pranë dyqanit.

Marrja e lajmit nuk ka qenë aspak e lehtë për një prej vajzave të çiftit, e cila kërkonte të shihte nënën në vendin ku ndodhi krimi.

Persona që kishin njohje me bashkëshortët pasi bizneset i zhvillojnë në të njëjtën rrugë thonë se nuk kishin dëgjuar që ata të kishin debate mes njëri tjetrit dhe se ishin persona të qetë.

Në dëshminë e parë të dhënë në polici mësohet se Ruzhdi Tosuni nuk ka shprehur pendesë për krimin e kryer. Ai ka pohuar përpara uniformave blu se gjithçka ka ndodhur për shkak të një marrëdhënie të tensionuar që të dy kanë pasur ndër vite dhe se nuk mund të duronte më.

Tv Klan