BSH: Sfida kryesore mbetet rritja e inflacionit

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se edhe pse efektet e luftës në Ukrainë janë të vogla, ato po vijojnë të ndihen në ekonominë shqiptare. Përfaqësuesja e FMN-së pranon edhe gabimin me vlerësimin e inflacionit.

“Ekonomia shqiptare po përballet me krizën e Ukrainës. Efektet janë disi të kufizuara, por po ndihet rritja e çmimit të ushqimeve dhe energjisë. Unë jam për masat zbutëse sepse gjatë këtij viti po vijon rimëkëmbja por masat mbrojtëse janë të nevojshme. Në lidhje me inflacionin e kuptuam që e vlerësuam gabim sepse e menduam inflacion kalimtar por na doli gabim sepse çdo muaj ndryshon”.

Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj thotë se lufta në Ukrainë i dha një goditje ekonomisë kudo.

“Kemi një krizë tjetër të bërë nga njerëzit e duhet ta kalojmë edhe këtë. E nisëm 2021 me ëndrra të mëdha, por kriza nuk ka të bëjë vetëm me inflacionin, hyn në thelb të ekonomisë dhe e rrëzon stabilitetin e të ardhurave veçanërisht për familjet në nevojë”.

Edhe sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, inflacioni mbetet sfida e kohëve të fundit

“Të paktën për probleme fondamentale që lidhen me rolin kryesor të bankave si ndërmjetës financiar, si mbrojtës të depozitave të kursimeve të popullatës, si dhe suportues të ekonomisë përmes kreditimit, sot nuk kemi më hallin që kishin. Inflacioni mbetet një sfidë kryesore pasi ndikon ne konsum apo dhe sektorët e tjerë”.

Në të njëjtën linjë ishte dhe Ministrja e financave sa u përket sfidave me të cilat po përballet ekonomia. Deklaratat u bënë në konferencën “Diversifikimi i sistemit financiar përmes reformave të tregut të kapitaleve” të organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes financiare.

Tv Klan