Si po përshtaten me pandeminë kampet politike

Pamundësia për të zhvilluar tubime elektorale, për shkak të rregullave që nuk lejojnë grumbullime me më shumë se 10 persona, me gjasë do të sjellin një fushatë elektorale të pazakontë. Pesë muaj nga zgjedhjet, partitë politike e gjejnë veten të kushtëzuara.

 “Një fushatë tipike sesi jemi mesuar të shohim deri në Mars zor se do ta kemi me takime të mëdha me mitingje të medha. Na penalizon shumë për mënyrën sesi është organizuar PS dhe organizatat e PS që e kemi të nevojshme takimin aq më tepër që jemi në fazën e organizimit kapilar”, thotë Sekretari organizativ i PS, Arben Pëllumbi.

“Nuk besoj që ka vlerën komisioni virtual me atë njerëzor, qytetarët kanë nevojë t’i prekin kandidatët t’i dëgjojnë dhe të japin mendimet e tyre”, shprehet kreu i PR, Fatmir Mediu.

Nëse kufizimet do të vijojnë, alternativa janë mediat tradicionale, si televizionet dhe ato online. Në kampin socialist, përgatitjet kanë nisur. 

“Ne e prisnim që do kishim situata të tilla, për këtë arsye kemi filluar organizimin tonë shumë më herët edhe në aspektet dixhitale, kemi bërë testime online, kemi berë mbledhje online dhe mesa duket pjesa virtuale do zërë më shumë pjesë sesa pjesa fizike në të gjithë pjesën e organizimit tonë”, thotë Arben Pëllumbi.

Edhe në kampin opozitar po përshtaten. Por opozitarët e shohin të qëllimshëm politikisht këtë vendim të komitetit të ekspertëve. Fatmir Mediu paralajmëron madje edhe një padi.

Do desha të dija pse 10 dhe jo 20, pse jo 30? Kjo është pamundësi për të pasur zgjedhjet e lira e të ndershme, është pengesë e një procesi zgjedhor. Le të thuhet që sa të ketë pandemi nuk do ketë zgjedhje, por një pushtet që përcakton Rama dhe kështu e ka gjykuar “zoti” në Shqipëri që është Edi Rama. Partia Republikane do shikojë edhe rrugët ligjore të ankimimit të këtij vendimi por shpresoj që edhe opozita të dalë me të njëjtin qëndrim”.

Deri në një vendim të dytë të komitetit të ekspertëve, kontakti me elektoratin do të jetë më së shumti virtual dhe si rrallëherë prezantimet e kandidatëve dhe ato të programeve do të mund të bëhen përmes televizionit apo mediave të tjera.

Tv Klan