Synimi që dozat të mbërrijnë  edhe te vendet e varfra

Mesazhi që deshën të përcillnin udhëheqësit e 7 vendeve më të industrializuara në botë ishte një: nëse anija mbytet, të gjithë do të mbyten, të varfër dhe të pasur.

Pandemia e Covid-19 ishte ajo që dominoi më së shumti takimin online të liderëve të G7. Në një deklaratë të përbashkët pas samitit të së premtes i cili ishte një debutim për Joe Biden si kreu i Shtëpisë së Bardhë vendosi që të ndihmohen me 7.5 miliardë dollarë programet antiCovid të OBSH-së si Covax. Synimi është që vaksinat të mos shkojnë vetëm për të pasurit, por edhe për vendet e varfra dhe ato në zhvillim.

Pjesa më e madhe do të jepet nga Shtetet e Bashkuara për një total prej 4 miliardë dollarë, Bashkimi Europian ka dyfishuar kontributin e saj me 1 miliard euro dhe Gjermania do të akordojë 1.5 miliardë të tjerë. Kancelarja Merkel tha se pandemia nuk do të mbarojë derisa të vaksinohen të gjithë në botë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, gjithashtu bëri thirrje për veprime të mëtejshme për të adresuar çekuilibrin e vaksinave në botë. Sipas tij Evropa dhe SHBA duhet të dërgojnë urgjentisht deri në 5% të vaksinave të tyre në vendet në zhvillim. Edhe Italia shprehu gatishmërinë për të ndihmuar.  

Skema Covax synon të shpërndajë të paktën 1.3 miliardë doza vaksine në të gjithë botën në muajt e ardhshëm. Shefi i OBSH-së Tedros Adanom Ghebrejesus tha se ishte mirënjohës për angazhimet e reja por theksoi se ishte e nevojshme të bëhet më shumë për të ekuilibruar procesin e vaksinimit në botë.

Tv Klan