Udhëheq Ronaldo me 5 gola e një asist, Zvicra ka “njeriun asist” 

Me dopietën ndaj Francës, Cristiano Ronaldo ka marrë kryesimin e golashënuesit më të mirë të Euro 2020. Portugezi udhëheq me 5 gola garën speciale, dy realizime më shumë se në gjithë kompeticionin e Euro 2016.

Asokohe, Ronaldo shënoi vetëm 3 herë në portat e kundërshtarëve, 2 në fazën e grupeve, gjithsesi ndihmoi kombëtaren e tij për të fituar titullin në fund të turneut. Ronaldo ka marrë pjesë në 6 nga 7 golat e shënuar deri më tani në Europianin e kësaj vere, duke dhënë edhe asist në humbjen 4-2 përballë Gjermanisë.

Ronaldo numëron një gol më pak se Antua Grizman, që në Euro 2016 fitoi Këpucën e Artë të Europianit me 6 gola.

Pas tij renditet Forsberg i Suedisë, me 3 gola. Në të njëjtën kuotë janë edhe Romelu Lukaku i Belgjikës, Robert Levandovski i Polonisë, tashmë e eliminuar, Patrik Shik i Republikës Çeke e Wijnaldum i Holandës.

Hojbjer i Danimarkës udhëheq garën për njeriun asist me 3 të tilla, por mesfushori ende nuk e ka shijuar golin deri më tani në Europian. Me 3 asiste ka kontribuar edhe Zuber i Zvicrës, i cili mahniti në ndeshjen decizive mes zvicerianëve dhe Turqisë, për të dhënë asist te të 3 golat e atij takimi.

Klan News