Ministria e Mjedisit u ka lënë 20 ditë kohë afat industrive të përpunimit të hekurit dhe çimentos në Elbasan për të instaluar filtrat e parandalimit të ndotjes, në të kundërt atyre do t’u pezullohen licencat. Pas inspektimit nga afër të parametrave të ndotjes në këto kompani zv/ministri i Mjedisit Aleksandër Garuli, ka bërë publike masat që u janë komunikuar operatorëve.

Aleksandër Garuli: “Është vendosur detyrimi që të ketë një kontroll dhe një monitorim 24 orësh. Janë detyruar dhe kanë vënë një pajisje e cila kontrollon gjatë 24 orëve emetimin e ndotjeve dhe sidomos të pluhurave. Vërtetë që këto janë veprimtari të cilat kanë, kërkojnë një mbështetje padyshim nga shteti, sepse një pjesë e mirë elbasanase punojnë aty, por ky nuk duhet të përbënte kurrë një kusht që shteti të lejonte që ato të kthehen në subjekte, subjekte që ndotin ambientin”.

Zv/ministri i Mjedisit, pohoi faktin se Elbasani është hequr nga lista e zonave më të ndotura në vend, por për të arritur standardet e kërkuara është i detyrueshëm instalimi i sistemeve të filtrimit. Ulja e ndotjes dhe vendosja e tyre në parametrat e duhur duhura është dhe një nga kërkesat kryesore të BE./tvklan.al