Vetëm pak ditë pas rikonfirmimit në krye të demokristianëve Nard Ndoka, i ka kërkuar kryeministrit Berisha shkarkimin e 2 përfaqësuesve të kësaj partie në qeveri, zv/ministrave Anton Gurakuqi dhe Zef Bushati. Burime të sigurta në PDK thonë se Ndoka do t’i paraqesë shumë shpejt kreut të qeverisë edhe 2 kandidatura që pritet të marrin poste të caktuara të kësaj partie në ministrinë e jashtme dhe atë të integrimit.

Sipas të njëjtave burime emrat më të përfolur për të zëvendësuar Bushatin e Gurakuqin janë 2 nënkryetarë të PDK-së Aida Joanidhi dhe Vladimir Beja.

Kërkesa e Ndokës për shkarkimin e kundërshtarëve të tij në parti vjen pas akuzave të ndërsjellta mes tyre për keqpërdorim të funksioneve në parti. 2 ditë më parë edhe Gurakuqi që u zgjodh kryetarë nga njëri prej kongreseve të PDK-së, i kërkoi kryeministrit Berisha të nisë negociatat mes përfaqësuesve të vërtet të demokristianëve. Ndërsa e quajti Ndokën si kosto edhe për qeverinë. I gjendur mes kuaj situate pritet që kryeministri Berisha të vendosë mbi kërkesën e Ndokës e cila tashmë gjendet në zyrën e tij./tvklan.al