Mazhoranca dhe grupimi i deputetëve të Lulzim Bashës duket se kanë gjetur dakordësinë për të votuar në parlament projektligjin për amnistinë Penale që kërkon 84 vota.
Sinjalin e parë e dha ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili tha se mazhorancës është gati të rishikojë, madje edhe të tërhiqet nga amendamenti që parashikon se personat e dënuar nga GJKKO mund të përfitojnë ulje dënimi nga 1 deri në 1.5 vite burg.
Ulsi Manja: Jemi të gatshëm të ulemi për këtë amendament, por nëse qenka hataja për opozitën se do përfitojnë ulje dënimi 3 ish-punonjës policie të dënuar për shpërdorim detyrë në Kukës, tërhiqemi ne, nuk është problem.
E menjëherë pas kësaj deklarate erdhi edhe qëndrimi i demokratëve të Lulzim Bashës, të cilët refuzuan ta cilësojnë pazar votën e tyre pas kësaj tërheqjeje të mazhorancës, duke shtuar një tjetër kusht.
Enkelejd Alibeaj: Ne e mirëpresim tërheqjen e mazhorancës nga mospërfshirja e të dënuarve për korrupsion nga GJKKO, japim dakordësinë tonë që në amnisti të përfshihen të gjithë protestuesit, pavarësisht kohës dhe periudhës në të cilën kanë protestuar.
Amnistia penale për shkak të mungesës së 84 votave dështoi të kalonte në Kuvend të enjten e 22 Shkurtit.
Tv Klan