Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ishte kritik ndaj të tijëve në konventën që u zhvillua këtë të shtunë në Tiranë. Një aspekt ku u ndal ishte edhe “lufta” në rrjetet sociale. Ai iu kujtoi anëtarëve të PL-së që të mos e pandehin kryeministrin “budalla” pasi nëse do ishte i tillë nuk do të qëndronte në pushtet 11 vite. Sipas Metës, partia duhet të jetë e organizuar pasi po luan për kampion dhe në krah theksoi se do që të ketë vetëm ata që luajnë për të qenë kampionë.

“Sot kam ekipin e monitorimit për share, like, për komente. Nuk jam shumë i apasionuar pas kësaj gjëje, por ju mos kujtoni se Edi Rama është budalla. Po të ishte budalla nuk rrinte 11 vjet në pushtet. Ka një makineri të tërë shtetërore, e ka dyfishuar administratën, ndërkohë që Shqipëria është përgjysmuar që kur ka ardhur ai. Mos kujtoni se bën mbledhje qeverie për të diskutuar strategji për energjinë, për turizmin. Ato i ka për lajme. Ai i bën mbledhjet për të diskutuar si administrata e patronazhistëve është në rregull apo jo me planin e likeve, të shareve, të komenteve e kështu me radhë. Ne çfarë na kushton të shpërndajmë mesazhin e Ilir Metës? Çfarë na kushton të shpërndajmë mesazhin e Erisa Xhixhos? Nëse ne përtojmë të bëjmë një gjë kaq të vogël, po nesër çfarë do të bëjmë ne në kutinë e votimit. Kjo nuk është gjithçka, por kjo tregon sa i organizuar je, sa i përgatitur je, sa nerv ke për të dalë kampion. Ne nuk po luajmë as që të mbetemi në ligë, ne po luajmë për kampion. Thirrni mendjes të gjithëve. Dhe në krahë të Metës do të jenë ata që luajnë për kampion. Edhe mund të mos dalim, por ndeshjen nuk e shesim”, tha Meta.

Sipas Metës, duke u riorganizuar, Partia e Lirisë do ta bëjë Shqipërinë që të ketë “diell për të gjithë”.

“Ne duke u rioganizuar krejt ndryshe nga deri sot, me një statut të ri që shpresoj se do të votohet, me këtë program të mrekullueshëm 5 prioritete për 4 milionë plus do ta bëjmë Shqipërinë që të ketë diell për të gjithë”, tha Meta.

Sipas kreut të PL-së programi i tij është bërë nga ekspertët më të mirë vendas dhe në rajon.

Sot Partia e Lirisë mban Konventën e thirrur nga Ilir Meta. Ai ka paralajmëruar disa ndryshime statutore që sipas tij do ta shkëpusin partinë nga nepotizmi. Për këtë ka prezantuar edhe një program me 5 pika që sipas Metës do të sjellin në Shqipëri 4 milionë shqiptarë plus.

Në fund të konventës do të zhvillohet edhe votimi për Presidentin dhe zv/Presidentin e Partisë së Lirisë. Në garë për drejtimin e partisë janë Ilir Meta dhe Faik Basha, ndërsa për zv/presidente 3 gra, Erisa xhixho, Myrvete Asqeri dhe Miranda Rira./tvklan.al