Të 780 përfituesit nga Amnistia Penale do të jenë në monitorim nga Policia e Shtetit. Ky ka qenë paralajmërimi i Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, i cili iu referua edhe rastit më të fundit, ku një përfitues nga amnistia u rikthye në burg vetëm 24 orë pas lirimit për shkak të kryerjes së një vepre penale.

“Në këtë aspekt, dua të ndaj me ju, mbi të gjitha me publikun, e t’i kujtoja atyre që kanë përfituar nga amnistia, që është në të mirën e tyre, që dorën e ngrohtë të shoqërisë përmes amnistisë, mos ta marrin si dobësi, por si mesazh për t’iu rikthyer jetës normale, larg çdo forme të veprave penale. Policia në komunikim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, po administron të gjithë emrat e përfituesve nga amnistia. Po ashtu do të kemi monitorim 1 për 1, të secilit prej tyre, për të parandaluar përfshirjen e tyre në veprat penale, dhe nëse e bëjnë, sërish do kthehen aty ku meritojnë dhe do të përballen me ligjin”, tha Balla.

Ministri i Brendshëm pas takimit në Drejtorinë e Policisë së Korçës bëri të ditur se performanca e drejtorisë së policisë do të varet nga rezultatet konkrete, duke vënë theksin në zbardhjen e ngjarjeve të vjetra kriminale.

“Ngjarjet e rënda kriminale shërbejnë si burim për ngjarje të reja, kështu që për të parandaluar ngjarje të reja kriminale duhet t’i shkojmë në fund ngjarjeve të vjetra, edhe në Korçë”.

Ministri Balla komentoi edhe protestën e opozitës para Bashkisë së Tiranës.

“Protestuesit sot e dhanë vetë përgjigjen e arsyes së protestës kur gjatë saj thirrjet ishin lironi liderin e opozitës”.

Ministri u shpreh se strukturat e Policisë së Shtetit kanë marrë të gjitha masat për të dielën e Pashkës dhe jo vetëm, pasi sezoni turistik pritet të tejkalojë shifrën e 14 milionë turistëve që do të vizitojnë vendin tonë.

Tv Klan