Në mes të pasigurisë së përgjithshme rreth preparatit të AstraZenecas, Komisioni i Përhershëm i Vaksinimit në Gjermani bën një rekomandim të ri: Jo dozë të dytë AstraZeneca për qytetarët nën 60 vjeç.

Edhe pse ende mungojnë të dhënat shkencore rreth vaksinimeve me llojet e ndryshme të tyre, të rinjve që deri tani kanë bërë vetëm dozën e parë të vaksinës me preparatin e AstraZenecas u rekomandohet që për dozën e dytë të mos përdorin këtë lloj vaksine, por dymbëdhjetë javë pas vaksinimit të parë të përdorin preparatet e firmave BioNTech/Pifzer dhe Moderna.

Komisioni i Përhershëm i Vaksinimit në Gjermani, rekomandon pra jo vaksinat vektoriale, ku bën pjesë ajo e AstraZenecas, vaksinat që bazohen në teknologjinë mRNA, si preparatet e firmave BioNTech/Pifzer dhe Moderna.

Uruguay I Impfung I Coronavirus

Vaksinat vektoriale bazohen në virusë të padëmshëm ftohjeje, të cilëve u shtohet një pjesë e vogël e kodit gjenetik të virusit korona. Pas vaksinimit trupi nis të prodhojë antitrupa dhe qeliza mbrojtëse, të cilat hyjnë në veprim sapo ndodh vërtet një infeksion me virusin korona.

Në Gjermani u vendos të martën që vaksinën e AstraZeneca ta përdorin përgjithësisht vetëm për njerëzit mbi 60 vjeç. Nga 2.7 milionë vetë të  vaksinuar me preparatin e AstraZenecas në Gjermani, janë raportuar 31 raste të dyshuara të ashtuquajturës trombozës së venave cerebrale. Në nëntë raste të vaksinuarit madje vdiqën.

Megjithëse të dhënat janë ende të pakta ekspertët dyshojnë se ky rrezik, i cili konsiderohet si shumë i ulët, prek vetëm të rinjtë dhe veçanërisht gratë./DW