Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryebashkiakët e 11 qyteteve të mëdha në Gjermani ranë dakord për kontrolle më strikte në zonat urbane me numër të lartë infeksionesh. Berlini, Frankfurti dhe qytete të tjera arrijnë nivele alarmuese.

Merkel tha se për qytetet me më shumë se 50 raste për 100 mijë banorë brenda një periudhe 7-ditore duhet të zbatohen menjëherë kufizime më të ashpra. Plani i mbylljes përfshin rregulla më të rrepta mbi mbajtjen e maskave dhe distancimit fizik, mundësinë e madhe për dalje me orar dhe kufizime në shitjen e alkolit në bare e restorante, në rastet kur një gjë të tillë e vlerësojnë autoritetet.

Merkel ishte e vetëdijshme që kufizimet e rinovuara “do të dëmtojnë” veçanërisht sektorin e gastronomisë dhe restorantet. Rritja e rasteve mund të përshpejtohet më shumë nëse autoritetet nuk do të jenë më në gjendje të vijojnë gjurmimin e zinxhirit të infektimeve. 

Autoritetet lokale do të kërkojnë ndihmë nga Instituti ‘Robert Koch’ për sëmundjet infektive si dhe nga ushtria, nëse numri i rasteve rritet në 35 për 100 mijë banorë brenda një jave. Gjermania numëron 9589 të vdekur dhe 314.600 të infektuar nga COVID – 19.

Shkalla në nivel kombëtar prej 11.55 vdekjesh për 100.000 banorë është dukshëm më e ulët se ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (64.74), e Mbretërisë së Bashkuar (64.08) si dhe shumë vendeve të tjera europiane. Shkencëtarët thanë se disa qytete gjermane kanë arritur afër nivelit kritik paralajmërues të 50 infeksioneve të reja për 100.000 banorë.

Drejtuesit e biznesit kanë paralajmëruar daljen kundër masave të tilla, duke sugjeruar që kjo mund të shkaktojë një valë falimentimesh dhe të pengojë më tej perspektivat e rritjes ekonomike të vendit. Ndërkohe ende vijojnë protestat ndaj masave të ashpra kufizuese.

Klan Plus