Përsëritja e klasës së 9-të bëhet pranë shkollave të mesme ku nxënësit janë regjistruar

Për mësimin plotësues ka patur interes të lartë edhe nga gjimnazistët. Në gjimanzin Arben Broci nga 560 nxënës e kanë frekuentuar rreth 350 prej tyre. 

Nga frekuentimi i lartë i nxënësve janë surprizuar edhe drejtuesit e gjimnazeve.  Gjatë një interviste për Klan News, drejtorja e   e “Arben Broci”. Majlinda Zaganjori tha se në javën në vijim pritet të ketë edhe më shumë nxënës  pasi një pjesë e atyre që janë në vit të parë e kishin të paqartë se ku duhet të bënin përsëritjen e klasës së 9-të.

“Të vijnë në gjimnaz sepse në klasat e dhjeta po punohet për përsëritjen, pra mësim plotësues për njohuritë që kanë marrë një vit më parë, në klasën e nëntë”, tha drejtoresha.

Përsëritja në shkollat e mesme po bëhet në 7 lëndë.

“Gjuhë shqipe, Letërsi, Matematikë, Gjuhë e Huaj e parë, si edhe lëndët shkencore Fizikë, Kimi dhe  Biologji. Veprimtari të ndryshme artistiko-kulturore, sportive, bashkëbisedime… Kanë nevojë që të ndiehen të socializuar, të takojnë njëri-tjetrin sepse është një gjë që atyre iu ka munguar”.

Edhe vetë gjimnazistët shprehen se kanë interes për të ndjekur mësimin plotësues pasi kanë hasur në vështirësi në mësimin online.

“Edhe donim që të vinin të tkonim njëri-tjetrin, por e shihnim që edhe nga viti i kaluar kishim disa probleme, kështu që na duhej t’i plotësonim që të vinim më të freskuar për vitin e ardhshëm, më datë 27”, u shpreh një gjimnaziste.

Sipas Zaganjorit, çdo gjë është gati për të nisur vitin shkollor më  27 shtator madje edhe vaksinimi i stafit ka përfunduar.

“Vaksinimi është në një masë 90%. Dy persona që nuk janë vaksinuar janë dy zonja të cilat janë shtatzënë dhe mjeku i tyre i familjes ka konstatuar që nuk duhet t’i nënshtrohesh, ndërsa stafi i shërbimit është vaksinuar 100%”.

Për gjimnazet prej dy ditësh ka nisur shitja e librave shkollorë.

Klan News