E ardhmja e Gjermanisë në Botërorin e Katarit varet nga përballja e radhës me Spanjën. Humbja ndaj Japonisë ka ndërlikuar jo pak pozitat e kombëtares së teknikut Hansi Flick, që rrezikon jo pak vijueshmërinë në Katar. Kjo ka bërë që sfida kundër iberikëve, e programuar për t’u luajtur këtë të diel, në raundin e xhiros së dytë të Kupës së Botës të marrë vlera përtej 90 minutave që do luhen në stadiumin “Al Bayt”.

Sikur të mos mjaftonte fakti që gjermanët janë në kuotën e zero pikëve në grupin E edhe statistikat janë në favor të spanjollëve. Përballja e fundit mes dy kombëtareve është fituar nga ekipi i Enrique me shifrat e thella 6-0, fakt ogurzi që nuk sjell optimizëm në radhët e ekipit të Flick.

Gjithsesi për të arritur tek 3 pikëshi, gjermanët do hedhin në fushë formacionin më të mirë. Me skemën 4-2-3-1 porta do i besohet Neuer. Reparti i mbrojtjes do formohet nga Raum, Rudiger, Sule dhe Kehrer. Dyshja e mesit të fushës do përbëhet nga Kimmich e Gundogan, teksa në mbështetje të Havertz sulmuesi pykë i Gjermanisë, do të jenë treshja, Muller-Musiala dhe Gnabry.

Në krahun tjetër, Enrique bëj disa ndryshime në formacion, ku në skemën 4-3-3 do i besojë emrave si Simon në portë, Alba, Laporta, Hernandez dhe Carvajal në mbrojtje, Busquets, Gavi e Pedri në mesin e fushës dhe në sulm Olmo-Torres dhe Asensio.

Klan News