Peleshi: Llogaraja rrezikohet më shumë se çdo ditë tjetër

Një tjetër vatër zjarri shpërtheu këtë të enjte në Vlorë, kësaj here në fshatin Gjormë dhe Gumenicë të Bashkisë Selenicë. Rreth mesditës flakët dolën jashtë kontrollit dhe përveç të mbjellave dhe kodrave me pemë e shkurre, përfshinë edhe zonat e banuara, duke djegur 6 shtëpi.

Forcat e emergjencave bën evakuimin e banorëve, ndërsa në ndihmë të tyre shkuan edhe dy helikopter që po hedhin ujë nga ajri. Situata emergjente e krijuar angazhoi edhe dhjetëra forca e mjete ushtarake, të cilët po punojnë nga toka për izolimin e zjarrit.

Nga Gjormi, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se po dëmet ishin të mëdha, por fatmirësisht jo në jetë njerëzore.

Beteja me zjarrin në Gadishullin e Karaburunit është vështirësuar më tepër në ditën e 10 të saj. Operacioni për shuarjen e 3 vatrave aktive nga ajri rinisi vetëm orët e pasdites, pasi ishte ndërprerë më parë për shkak të erës së fortë.

Për ministrin Niko Peleshi, situatë në këtë front është edhe më e vështira, pasi zjarri ka mbërritur në kufi të parkut të Llogarasë. Një tjetër vatër zjarri shpërtheu mengjesin e së enjtes edhe në Nartë, duke rrezikuar ish depot e naftës, por flaket u izoluan.

Në qarkun e Gjirokastrës situata duket më e qetë. Tashmë ka vetëm 1 vatër aktive që po mbahet në monitorim nga forcat e emergjencës. Por janë qindra hektarë tokë të shkrumbuara.

“Kemi diku te 750 hektar pyje e kullota të djegura, me shumë se 20 hektarë vreshtari. Janë 2 persona nën hetim”.

Flakët përfshinë pasditen e së enjtes edhe malin e Traboshit në Shkodër. Pas ndërhyrjes së forcave të zjarëfikëseve dhe të policisë u bë e mundur që zjarri të fikej.

Prej mesditës së kësaj të enjte zjarri ka përfshirë edhe masivin pyjor të Vithkuqit në Korçë. Flakët intensive, të favorizuara edhe nga era e fortë kanë përparuar në brendësi të pyllit, ndërsa i janë afruar edhe manastirit të Shën Pjetrit.

Sipas emergjencave civile, aktualisht janë disa vatra zjarri aktive në të gjithë vendin, përfshirë zjarrin Fushë Arrëz, në Lukan të Dibrës, në Mallakastër etj.

Tv Klan