Një person i maskuar dhe i armatosur ka grabitur një karburant në autostradën Vlorë – Fier, dhe më pas është larguar në drejtim të Novoselës.

Grabitësi ka marrë një shumë parash nën kërcënimin e armës, në karburantin që është në pronësi të qytetarit me iniciale F.S. Nga kjo ngjarje fatmirësisht nuk ka persona të lënduar. Forcat e policisë u vunë menjëherë në ndjekje të autorit të grabitjes, i cili u kap pak orë pas ngjarjes së ndodhur.

Autori i dyshuar është Mariglen Miftaraj 27 vjeç, i cili është dërguar në komisariat për t’u marrë në pyetje, ku u zbulua gjithashtu se gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm ka grabitur edhe një karburant tjetër, ku mori 3 mijë Lekë të reja. Ai është person me precedent të mëparshëm penal. Policia i sekuestroi 27-vjeçarit 27 mijë Lekë të reja, 150 Euro, një kallashnikov dhe kapuçin që përdorte gjatë grabitjes.

Njoftimi i Policisë së Vlorës:

Në lidhje ma ngjarjen e mëngjesit ku rreth orës 05:53, në mbikalimin e Novoselës një person i maskuar me kapuç në kokë dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit – Automatik, ka marrë me forcë një sasi parash prej 24.000 lekë të rinj dhe është larguar.

Menjëherë shërbimet e policisë me marrjen e njoftimit janë shpërndarë në terren, duke kontrolluar jo vetëm akset rrugore por edhe krehjen e zonës përreth derisa ranë në gjurmët e autorit dhe bënë të mundur kapjen e tij brenda një kohë shume të shkurtër.

I fshehur nëpër shkurre midis fshatrave Aliban-Akërni, kapet dhe arrestohet në flagrancë autori i ngjarjes, shtetasi:

Mariglen Miftaraj, 27 vjeç, banues në fshatin Plashnik, Berat.

Nga hetimet intensive të kryera, u bë zbulimi dhe dokumentimi i një ngjarje tjetër, konkretisht ky shtetas para se të kryente grabitjen në fjalë, rreth orës 00:40 të mëngjesit të sotëm, në të njëjtat kushte ka vjedhur edhe një karburant tjetër brenda Novoselës në pronësi të shtetasit Y.B, ky dyshohet se ka marrë një sasi parash prej 3.000 lekë të rinj.

Kapja e tij në flagrancë është shoqëruar edhe me sekuestrimin e materialeve si më poshtë:

– Armë zjarri Automatik – Kallashnikov

– Kapuçi, që përdori për maskim

– Një sasi parash prej 27.000 lekë të rinj dhe 150 Euro.

Kryhen veprimet e tjera proçeduriale në lidhje me ngjarjen. 

/tvklan.al