Flakët përfshinë një qytet pranë Athinës gjatë natës ndërsa qindra njerëz u evakuuan me traget nga ishulli i Evia-s pasi zjarret vazhduan për të pestën ditë të shtunën në të gjithë Greqinë.

Në Evia, në lindje të kryeqytetit, një zjarr që filloi të martën u përhap shpejt në disa drejtime, duke përshkuar mijëra hektarë pyje në pjesën veriore të ishullit dhe duke detyruar evakuimin e dhjetëra fshatrave.

Më shumë se 400 zjarre shpërthyen në 24 orët e fundit, dhe vatrat më të mëdha vazhdojnë të digjen në Evia, ishulli i dytë më i madh grek dhe zonat e Peloponezit përfshirë Olimpin e Lashtë, vendi i Lojërave të para Olimpike.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis e quajti stinën një “verë makthi”, duke shtuar se përparësia e qeverisë “ka qenë, para së gjithash, të mbrojë jetët e njerëzve.”

Zjarri në malin Parnitha në periferi të Athinës, i cili detyroi evakuimin e mijëra njerëzve që nga e enjtja vonë, ishte tkurrur deri të shtunën pasdite, por erërat ishin parashikuar të forcoheshin, që do të thotë rritje e rrezikut të rigjallërimit të tyre.

“Në asnjë rrethanë nuk mund të biem në vetëkënaqësi,” tha zëvendës ministri i mbrojtjes civile Nikos Hardalias gjatë një konferencë urgjente për shtypin. “Po luftojmë një betejë madhore.”

Zjarret kanë shpërthyer në shumë pjesë të vendit mes valës më të rëndë të të nxehtit në Greqi në më shumë se 30 vjet, duke zhdukur një pjesë të pyjeve, shkatërruar shtëpi dhe biznese dhe duke vrarë shumë kafshë.

Të premten në mbrëmje, erërat e forta e përhapën zjarrin deri në qytetin Thrakomakedones në veri të Athinës, ku u dogjën shtëpi banimi. Banorët ishin urdhëruar të evakuoheshin dhe nuk kishte njoftime të menjëhershme për viktima.

“Është gjendje vërtet e keqe,” tha Thanasis Kaloudis, një banor i Thrakomakedones. “E gjithë Greqia është djegur”.

Turqia fqinje gjithashtu po lufton me ato që Presidenti Tajip Erdogan po i quan zjarret më të këqija në historinë e saj ndërsa pesë vatra zjarri ende vazhdonin të digjeshin të shtunën.

Ky numër ishte pak më i ulët se ditët e mëparshme. Në vendpushimin mesdhetar të Manavgatit, ku shpërthyen zjarret e para 10 ditë më parë, shirat ndihmuan zjarrfikësit të shuanin flakët e fundit.

Më në perëndim në provincën Mugla në Egje, katër zjarre vazhdonin ndërsa vala e të nxehtit nuk po zbutet.

Tetë persona kanë vdekur në zjarret që kanë shkatërruar rajonet bregdetare jugperëndimore të Turqisë, duke djegur dhjetëra mijëra hektarë dhe duke detyruar mijëra banorë dhe turistë të lënë shtëpitë dhe hotelet. /DW