Ministri i Transporteve: Po vendosim kamerat sipas paktit të 2009

Greqia dhe Shqipëria nuk kanë gjetur ende mirëkuptim në ndarjen e re të kufirit në detin Jon, por kjo nuk e ka penguar shtetin fqinj të luajë politikën e faktit të kryer. Është po e njëjta parti e rikthyer në qeverisje në Greqi, e djathta e Demokracisë së Re që arriti në vitin 2009 të nënshkruante marrëveshjen për detin, e shfuqizuar nga ish-Gjykata Kushtetuese Shqiptare. Ioannis Plakiotakis, Ministri i Transportit në qeverinë e Kyrjakos Mitsotaqis, ka lajmëruar se pala greke ka nisur instalimin e kamerave termike dhe radarëve në të gjithë vijën e saj kufitare bregdetare në Detin Jon, si dhe në Egje.

“Në ditët në vijim kufijtë tanë detarë, jo vetëm në detin Jon, në atë Egje, por edhe në Kretë do të kontrollohet në kohë reale nga kamerat termike dhe radarët, me të cilët është e pajisur Garda Bregdetare. Po ashtu do monitorojmë në mënyrë të rreptë ishujt tanë, që i konsiderojmë të njëjtë si rafti kontinental dhe pjesë të zonave ekskluzive ekonomike, ndaj ne do të mbrojmë të drejtat tona kombëtare”.

Ministri grek i Transportit ka njoftuar rekrutimin në të ardhmen e afërt të një shtese në personelin e specializuar për monitorimin në det. Ishujt si pika referimi janë përdorur nga grekët për t’jua hedhur shqiptarëve, sipas admiralit turk Xhihad Jatci.

Në marrëveshjen e vitit 2009, disa ishuj shumë të vegjël dhe të pabanueshëm dhe pa jetë ekonomike si Othonoi, Lazareto, Erikuza dhe shkëmbi Barketa iu dha e njëjta peshë si toka kontinentale e Shqipërisë dhe ndarja e vijës së mesit u përcaktua nga këto ishuj. Kjo do të bënte që kufiri i detit të vinte shumë pranë brigjeve shqiptare.

Me ardhjen e socialistëve në pushtet, ish-Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, tha se Shqipëria kishte pranuar që Greqia të shpallte 12 milje det territorial, por kjo shpallje mund të ndodhë vetëm në 10 zona nga 150 zona kufitare mes dy vendeve. Kjo deklaratë e ish-diplomatit grek alarmoi Turqinë, sepse nëse kjo do të përdorej dhe në delimitimin e hapësirës detare mes Turqisë dhe Greqisë, kufiri do të shkonte gati në bregdetin turk. Ne fakt Ministri i Jashtëm turk Çavusoglu, duke iu referuar ishujve në detin Jon tha se në marrëveshjen e fundit greko-italiane, ato nuk u përdorën si pika reference.

Klan Plus