Mick Schumacher e Mazepin të gatshëm për të debutuar

Skuderia Haas është skuadra e radhës e Formula 1, që ka zbuluar makinën në të cilën do të garojnë në botërorin më spektakolar të automobilizmit. Me dyshen, Mick Schumacher- Mazepin, çifti me moshën më të re në historinë e këtij sporti, skuderia amerikane ka befasuar edhe në një tjetër aspekt.

Makina ka ndryshuar totalisht look, kjo e ndikuar edhe nga sponsori. Në fakt, skuderia Haas sponsorizohet nga një kompani që trajton mbetjet urbane, pronar i së cilës është babai i rusit, Mazepin, i cili nuk do të mund të garojë me flamurin e Rusisë për shkak të pezullimit nga WADA.

Haas ka hequr dorë nga e zeza e sezoneve të fundit, duke kaluar në të bardhë, të kuqe dhe blu. Sytë e të gjithë janë padyshim mbi djalin e legjendës së këtij sporti, Michael Schumacher. VF-21, do të zbres në pistë nga data 12 deri më 14 Mars në Bahrein, ku pilotët do të njihen me njëvendëshen në provat e para zyrtare.

Skuadra amerikane përfundoi e nënta në kampionatin e konstruktorëve vitin e kaluar dhe pritet të përballet me shumë sprova këtë sezon. E gjitha kjo për shkak se puna e konstruktorëve nuk ka qënë në nivelin e duhur, pasi fokusi është përqendruar në makinën e sezonit të ardhshëm, e cila do të quhet VF-22.

Klan News