Kreu i AAK: Mbrohem në heshtje, nuk pres të ngrihen akuza

Ramush Haradinaj dhe Jakup Krasniqi u paraqitën këtë të mërkurë në prokurorinë speciale për krimet e luftës në Kosovë në Hagë, për t’u marrë në pyetje. Pa specifikuar se për çfarë ishte thirrur për të dëshmuar, Haradinaj deklaroi në përfundim të procedurave se nuk priste që ndaj tij të ngriheshin akuza.

“Kam pranuar këshillën ligjore që të mos përgjigjem fare në pyetje. Nuk ka një materie, përmbajtje, se për çka bëhet fjalë.  Kanë kërkuar shpjegime, për rolin tim në UÇK, por jo diçka konkrete. Unë nuk pres aktakuzë.”

Haradinaj shpjegoi se dorëheqjen e dha për të përcjellë një shembull pozitiv. Duke shprehur gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje të reja, Haradinaj nuk është edhe aq i qetë për situatën politike, në të cilën po kalon vendi.

“Shoh se shumë njerëz i marrin këto zhvillime me shumë sportivitet por nuk janë krejt të thjeshta. Për fat të mirë ka stabilitet në Kosovë dhe është respektuar ligji dhe kushtetuta.”

As ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi nuk dha detaje se në çfarë cilësie është ftuar por vetëm ka thënë se e ka kryer obligimin e tij ligjor.  Prokuroria Speciale është një nga dy dhomat e Gjykatës Speciale që trajton pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës, në periudhën 1998-2000.

Tv Klan