Pas polemikave të fundit rreth korrigjimit të kufijve, Ramush Haradinaj thumbon sërish Presidentin Hashim Thaçi, promotorin e kësaj ideje. Kryeministri thotë se Kosova ka humbur shumë kohë për korrigjimin dhe ka lënë pas dore politikën e zgjerimit të njohjes.

“Ideja me lëviz me territore është shqetësuese, unë jam kundër kësaj. Nëse atë energji që kemi shpenzuar për kufijtë, e kishim çu nga marrja e njohjeve ndoshta Greqia, Rumania, Sllovakia na kishin njohur deri tani. Unë e kam thënë disa herë, kjo ideja e korrigjimit ka vdekur.”

Haradinaj citoi edhe deklaratën e kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili po ashtu mendon se ndryshimi i kufijve është një ide e Beogradit dhe Moskës.

Përplasjet mes kryeministrit dhe Presidentit të Kosovës rreth kësaj çështjeje kanë qenë të mëdha. Pak ditë më parë, Haradinaj me ironi, i shprehu ngushëllimet Thaçit për korrigjimin e kufijve. Ndërsa kreu i shtetit kosovar tha se ngushëllimi shkon për ata që kanë premtuar Asociacion me elemente ekzekutivë në veri të Kosovës.

Tv Klan