Matteo Salvini është vënë në qendër të kritikave, pas

publikimit nga portali amerikan ‘Buzzfeed’ të përgjimeve, ku një ndihmës i tij

i Lega Nord dëgjohej teksa u kërkonte biznesmenëve rusë, para për fushatën

zgjedhore europarlamentare.

Mediat italiane shkruajnë se kreu i Lega Nord ishte në

dijeni të bisedave që Savoini kishte bërë me biznesmenët rusë në takimin e 17 Tetorit

2018 në hotel Metropol të Moskës. Edhe pse ministri i Brendshëm italian, në

reagimet e tij ka mohuar që Savoini të ketë qenë pjesë e delegacioneve të

qeverisë së tij gjatë vizitave në Moskë, e vërteta rezulton ndryshe.

Mediat i kanë risjellë në kujtesë kreut të Lega Nordit, një

postim në Twitter të Savoinit që mban datën 17 Korrik 2018, fiks tre muaj para

datës së audio-regjistrimit. Savoini ka publikuar një foto ku shfaqet në një

takim zyrtar me palën ruse në Moskë, ku është pjesë e delegacionit me zv/Kryeministrin

Salvini. Në komentin e tij në Twitter, Savoini shkruan se ishte kënaqësi që

kishte shoqëruar Salvinin në takimet në Ministrinë e Jashtme ruse.

Savoini, që drejton edhe një shoqatë kulturore mes Lombardisë dhe Rusisë, dëgjohet në përgjimet e publikuara gjatë kësaj jave teksa i kërkon biznesmenëve rusë 65 milionë Euro financime për fushatën europarlamentare të Lega Nordit, në këmbim të thellimit të bashkëpunimit financiar mes Italisë dhe Rusisë, duke nënkuptuar një marrëveshje tregtare që do të favorizonte kompanitë shtetërore të naftës ruse në vlerën e 1.5 milionë Eurove.

Tv Klan