Në etiketën e vaksinës paralajmërim për mpiksjen e gjakut

Përdorimi i vaksinës Johnson&Johnson kundër Covid-19 duhet të rifillojë në Shtetet e Bashkuara pasi provat tregojnë se mpiksja e gjakut në tru është jashtëzakonisht e rrallë, por potencialisht vdekjeprurëse, tha një panel ekspertësh.

Rekomandimi i panelit i hap rrugë fillimit të vaksinimit dhe shpejtimit të fushatës në SHBA.

Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ndaluan përdorimin e vaksinës javën e kaluar pas raportimit të gjashtë rasteve të mpiksjes së gjakut në tru shoqëruar me trombocite të ulëta të gjakut në rreth 8 milionë doza të administruara.

Tani Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave do të përditësojë autorizimin e përdorimit emergjent të J & J duke përfshirë në etiketën e vaksinës edhe paralajmërimin për rrezikun e mpiksjes së gjakut.

Zyrtarët e lartë të shëndetësisë thanë se shpresojnë për një rikthim të shpejtë të përdorimit të vaksinës.

J & J është e vetmja vaksinë me një dozë që krijon imunitet të plotë dy javë pas injektimit. Kjo vaksinë mund të ruhet gjithashtu në temperatura normale frigoriferike, ndaj shihet si një mjet i dobishëm për vendet me të ardhura të ulëta dhe i favorshëm për përdorimin në zonat rurale.

J&J është përballur me disa pengesa që kur vaksina fitoi autorizimin në Shkurt, së pari duke ndaluar prodhimin për të shtuar kapacitetet dhe më pas shfaqjen e rasteve të mpiksjes së gjakut.

Klan News