E enjtja tashmë në programin “Historia ime” në Tv Klan është shndërruar në të enjten e forumeve, diskutimeve dhe madje debateve qytetare. Sot është folur për dashurinë, shndërrimin e konceptimit dhe ndërtimit të një marrëdhënieje mes dy personave që kanë ndjenja ndaj njëri-tjetrit. Nëse kthehemi pas në kohë, dy njerëz që dashuroheshin e shihnin gjithmonë dashurinë të kornizuar në një martesë, dhe më pas në një strehë dhe familje të përbashkët.

Sot, me evolimin e kohës, dhe modernizmin e gjithçkaje që na rrethon, edhe koncepti i dashurisë ka ndryshuar. I prirur drejt lirisë, ky koncept sot i bën dy njerëz të jenë sa pranë njëri tjetrit aq edhe larg, pa detyrime dhe siguri. Pjesë e panelit janë bërë publicisti Agim Baçi, blogeria e seksit Zhaklina Lekatari dhe aktivistja Elsa Ballauri. Gjatë bisedës në studio Zhaklina Lekatari shprehet se jemi në një periudhë ndryshimi, por duhet të kemi dhe një kthim mbrapa sepse shoqëria e tanishme është e shthurur.