Në fillim të shtatorit, në prag të një udhëtimi në Kinë dhe OKB, kryeministri Fatos Nano hodhi idenë se Partia Socialiste ka nevojë për ndryshime në drejtimin e saj, por edhe në qeveri. Argumentet e Nanon preknin faktin se një pjesë e figurave  aktuale janë konsumuar dhe e kanë të vështirë të perceptojnë ndryshimet që po përjeton vendi.

Nano la të kuptohej se ndryshimet do të diskutoheshin në një mbledhje tjetër. Ideja e Nanos gjeti mbështetje edhe në shtyp dhe në një pjesë të PS. Por ndryshe nga sa pritej në mbledhjen e fundit të KPD, Nano deklaroi se PS nuk ka nevojë për ndryshime dhe se është e përgatitur sfidën elektorale. Ky ndryshim provokoi reagimin e disa komentatorëve dhe aktualisht askush nuk di se si do të paraqitet kjo parti në zgjedhje.

Për të diskutuar lidhur me këtë temë, ishin të ftuar në emisionin “Opinion” Erion Braçe deputet i PS, Emin Barci këshilltar i kryeministrit, Andi Bushati kryeredaktor i Revistës Klan, Andi Bejtja analist dhe në lidhje direkte Fatos Lubonja analist.

“Nano i ka paralajmëruar ndryshimet gjatë gjithë kohës, por nuk i ka bërë sepse është i bllokuar dhe në këtë mënyrë po bllokon partinë dhe veten. PS ka 1 vit që nuk lëviz asgjë, mendoj se ka qenë më e hapur para 10 vitesh se sa tani”, tha Bejtja./tvklan.al