Lionel Messi akord verbal për t’u larguar, Barcelona destinacioni i vetëm

Pas çdo dite që kalon, thashethemet për të ardhmen e Lionel Messit sa vijnë e shtohen.Ylli argjentinas duket se ka arritur një akord verbal me Pari Saint-Germain për të mos rinovuar kontratën e tij që skadon në fund të këtij sezoni. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, Messi dëshiron që të largohet nga PSG që në merkaton e janarit, me kampionët e Francës që kërkojnë të fitojnë sado pak nga lamtumira e tij. 35-vjeçari ka hyrë në vitin e fundit të marrëveshjes së tij me francezët dhe rikthimi te Barcelona është më shumë se e mundur.

Kapiteni i Argjentinës nuk ka dëshirë të rinovojë kontratën e tij me kampionët e Ligue 1, me Barcelonën që mbetet skuadra e vetme e interesuar për sulmuesin. Messi do të kishte në dorë të vet zgjedhjen e periudhës se kur mund të rifirmos me Barcelonën, qoftë në janar apo në merkaton e verës. Mënyra se si Messi u detyrua të largohej nga klubi verën e kaluar për shkak të situatës financiare nuk i ka pëlqyer lojtarit dhe tifozëve. 

Ri-nënshkrimi i tij do t’i jepte 7 herë fituesit të Topit të Artë një mundësi reale për tu rikthyer në katalonjë sipas kushteve të tij, të cilat ai meriton. Do të jetë interesante të shihet nëse Messi do të vendosë të largohet nga PSG në mes të sezonit, kjo falë edhe performancës fenomenale të tij në këtë fillim edicioni. Vendimi përfundimtar për të ardhmen e tij do të merret vetëm pas Kupës së Botës në Katar, turneu që parashikohet të jetë i fundit në karrierën plot suksese të Messit.

Klan News