Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Dy javë para përfundimit të kampionatit kombëtar të futbollit, Vllaznia e Shkodrës hedh një tjetër hap të sigurt drejt titullit kampion, sepse sot mundi 2-0 Flamurtarin e Vlorës, në stadiumin “Vojo Kushi”. Edhe Tirana që e ndjek pas, ka marrë një fitore të pastër 3-0 dhe shpreson tashmë tek ndonjë gabim i shkodranëve në dy javët e mbetura.

Larg titullit mbeti Dinamo, e cila barazoi 0-0 në Ballsh me Bylisin, duke mbetur kështu katër pikë larg shkodranëve. Por fitoren më të madhe e ka arritur Shkumbini i Peqinit, i cili në Gjirokastër ka fituar 2-1 me Luftëtarin, duke u renditur në vendin e katërt. Beslidhja koleksionon një tjetër fitore të madhe e të thellë, që kur skuadrën lezhjane e mori nën drejtimin e tij i mirënjohuri Vasil Bici. Viktimë e lezhjanëve sot u bënë korçarët që u mundën me rezultatin e thellë 1-5 për lezhjanët.

Apolonia ka fituar 1-0 në Fier ndaj skuadrës së Teutës së Durrësit, ndërsa Lushnja ka mundur 2-0 Tomorrin. Kështu pas javës së 24, Vllaznia kryeson me 52 pikë në vendin e parë, e ndjekur nga Tirana në vendin e dytë me 50 pikë dhe Dinamo 48 pikë./tvklan.al