Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Kandidatët socialist për deputet në Tiranë, kanë kërkuar votat e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe të familjeve të dëshmorëve. Kryesocialisti i Tiranës Musa Ulqini, u premtoi veteranëve rregullimin e statusit dhe riparimin brenda katër viteve të ardhshme të të gjitha busteve dhe monumenteve të luftës.

Musa Ulqini:- “Ne e dimë shumë mirë se ende kemi shumë për të bërë, në mënyrë që statusi i veteranit dhe i familjes së dëshmorëve të ketë tërë shkëlqimin dhe dinjitetin që meritojnë. Ne angazhohemi sot solemnisht përpara jush që do të bëjmë gjithçka është e mundur që ta meritojmë titullin pasardhës veterani. Ne angazhohemi që gjatë mandatit tonë katërvjeçar të riparojmë të gjithë monumentet dhe simbolet e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Tiranës”.

Në takimin me veteranët, kandidatët për deputetë Anastas Angjeli, Et’hem Ruka, Zamira Çaka, Saimira Pino, Edlira Haxhiymeri dhe Luan Shahollari, paraqitën objektivat e tyre për fitore në zgjedhje. Veteranët e luftës përfitojnë në bazë të statusit deri në 33 mijë lekë të vjetra në muaj. Ndërkohë socialistët kanë premtuar rritjen e këtij shpërblimi për të gjithë veteranët e luftës./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame