Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Bashkimi për Fitore ka zbritur në Durrës, për të prezantuar gjashtë kandidatët për deputet të këtij rrethi. Nën tingujt e Ricky Martin dhe me të njëjtën strukturë si në çeljen e fushatës në Tiranë, krerët e koalicionit të djathtë kanë premtuar ta bëjnë Shqipërinë të banueshme, të forcojnë rendin, të ulin taksat etj. Do ta kthejmë Durrësin deklaruan ata, nga zemër të sëmurë të Shqipërisë në zemër të shëndetshme të Ballkanit. Qeverinë e krimit, do ta kthejmë në qeverinë e njerëzve të thjeshtë, por përpjekja jonë nuk do të kishte kuptim pa Durrësin.

Sali Berisha, Kryetari i PD:- “Unë në emrin tuaj, ftoj qytetarët e Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë, të bashkohen me ne, në këtë fillim të madh dhe me forcën e besimeve tona të mëdha, të shpëtojmë Shqipërinë dhe shqiptarët nga ky udhëkryq i rrezikshëm, ku e kanë vendosur qeveritarët e sotëm. Fillimi i ri është fillimi i njerëzve me besime të mëdha e të pakthyeshme”.

Në përfundim, Berisha duke ftuar durrsakët të votojnë për Bashkimin për Fitore tha, se vetëm së bashku mund të shndërrojmë në realitet ëndrrat dhe shpresat për të ardhmen./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego