Në fund të fjalimit të tij, Kryeministri Edi Rama pati disa falenderime. Nga ata që votuan e deri tek familja e tij. Kreu i qeverisë tha se nuk gjente dot fjalë për të përcjellë atë që ndiente, ndaj dhe zgjodhi që këtë ta bënte me një shprehje të Zahos, djalit të tij të vogël.

“Jo vetëm respekt, por edhe mirënjohje të thellë të gjithë atyre që sot ushtruan të drejtën e votës, pavarësisht për kë votuan, në listat e këshillave bashkiakë, apo kujt i vunë votën ose vizën, aty ku nuk kishin më shumë se një zgjedhje për kryebashkiak. Shumë faleminderit”.

“Ndërsa për socialistët, për progresistët dhe për simpatizantët e çdo moshe e bindje, që nga ata që nuk më lanë kurrë të ndihem vetëm në përpjekjen time kokëfortë, me mesazhe të panumërta inkurajimi në zyrën time, në WhatsApp, tek ata që erdhën të më dëgjonin në pikun e vapës, gjatë maratonës drejt 30 Qershorit, e deri tek ata që sot, e mbytën përfundimisht me thonjtë e ngjyrosur në qendrat e votimit fantazmën e dhunës dhe të pengmarrjes politike të këtij populli, nuk gjej dot fjalë që të përcjell atë që ndjej, e di që nuk ka sesi të mjaftojë, por s’kam sesi ta them ndryshe: Ju dua shumë fare!

Kjo është shprehja më e bukur për mua, të cilën ma thotë Zaho dhe për të cilën unë vdes fare. Faleminderit të gjithëve dhe shumë posaçërisht Lindës, që mban ditë e natë malin e halleve të mia, Gregut, Reas dhe të paepurës Aneta Rama, që sot ishte një nga qindra mijëra thonjtë e mrekullueshëm”.//tvklan.al