Vijon bojkoti tek Vllaznia. Për të tretën ditë radhazi, futbollistët e ekipit shkodranë kanë refuzuar daljen në stërvitje, duke komplikuar ndjeshëm pjesën e mbetur të sezonit, që pritet të ristartojë më 3 Qershor. Zëvendëstrajneri Safet Osja dhe trajneri i portierëve Ideal Lekiqi ishin gati për të vënë në zbatim urdhrat, por në fushën stërvitore nuk mbërriti asnjëri prej futbollistëve.

Jashtë kamerave, futbollistët kanë pohuar se bojkoti vjen për shkak se nuk janë shlyer financiarisht për më shumë se 4 muaj. Lojtarët kërkojnë garanci për rrogat e pamarra dhe mbi të gjitha një datë fikse se kur do të kalojnë paratë në llogaritë e tyre.

Gjithashtu, ata duan të sqarohen se si do të procedohet për kontratat, pasi shumicës i skadon marrëveshja me Vllazninë më 31 Maj. Kapiteni Lika ka pohuar se lojtarët janë të gatshëm të pranojnë rroga minimale në muajt Qershor dhe Korrik nëse klubi shlyen detyrimet e tjera.

Vendimi i lojtarëve për bojkot është unanim dhe tashmë pritet që klubi të marrë masa konkrete, ashtu siç ka paralajmëruar administratori Suad Lici, i cili po shikon planin B, të mbyllë kampionatin me futbollistë të Vllaznisë B, ndoshta edhe me të rinjtë.

Klan Plus