Shtyhet festa në shtëpinë e Juventusit. Bardhezinjtë janë mposhtur 2-1 nga Udinese në sfidën e javës së 35 dhe 3 javë nga fundi, çështja e titullit mbetet ende e hapur.

Edhe pse ishin të parët që kaluan në avantazh, djemtë e Sarrit treguan limite ndaj një kundërshtari modest të paktën në letër, por fusha zbuloi edhe njëherë defektet e Juventusit të këtij sezoni.

Duhej të vinte minuta e 43’ që të zhbllokohej rezultati. Matias De Ligt kontrolloi në perfeksion një top jo të larguar mirë nga mbrojtja dhe me një diagonale potente gjeti cepin e portës për 1-0. Nestorovski barazon shifrat pas një aksioni model të Udineses, ndërkohë që Sarri mendon të rifreskojë forcat.

Megjithatë as futja e Douglas Costa e Matuidi nuk jep frytet e dëshiruara, madje shton guximin te friulianët të cilët bëjnë gjithçka për të marrë 3 pikë. Këmbëngulje që rezultoi e sukseshme, me Fofana që në limitet e kohës shtesë goditi shpresat e Juventusit për pikë, që tashmë duhet të pres sfidën ndaj Sampdorias për të shpresuar fitimin e titullit të 9-të radhazi në Seria A.

Sfidë me dy fytyra dhe për Lazion. Pas 5 ndeshjesh pa fitore, kryeqytetasit janë rikthyer te suksesi pas triumfit 2-1. Simeone shfrytëzoi një përgjumje të mbrojtjes vendase dhe çoi topin në rrjetë. Strakosha mund të bënte diçka më mirë, pavarësisht devijimit të topit.

Pjesa e dytë nisi me ritëm tjetër. Milinkovic-Savic shënoi një supergol duke shpalosur të gjithë klasin e tij, ndërsa Ciro Immobile mendoi për t’i vendosur vulën ndeshjes në 2-1. Gol që e vendos para Ronaldos në garën për “Këpucën e Artë” me 1 realizim më shumë, teksa kualifikon Lazion në grupet e Ligës së Kampionëve pas 13 vitesh mungesë.

Klan Plus