Veliaj: Fëmijët janë epiqendra e qytetit

Fëmijët e Saukut kanë tashmë një kënd të ri lojërash pranë banesave të tyre. Në inagurimin e këtij investimi kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se të vegjlit janë epiqendra e vëmendjes së bashkisë.

“Me fjalë fëmijët i kemi më të rëndësishmit, por hapësirat publike nuk ua vëmë atyre në dispozicion. Në pjesën më të madhe, hapësirat publike ose kanë qenë, ose janë kthyer në lavazhe, gomisteri dhe parkim makinash. Nëse fëmijët janë vërtet epiqendra e vëmendjes tonë, duhet të jenë edhe epiqendra e qytetit tonë. Pra, hapësirat e vogla mes lagjeve nuk mund të jenë për makinat ose për ferrat, por për fëmijët”.

Veliaj shfrytëzoi këtë moment për të folur për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti.

“Në Saukun e vjetër do të rindërtojmë disa shtëpi. Nga java tjetër do të lidhim kontratat me njësinë administrative, që secili të marrë pagesën cash. Me të mbyllur pagesat, do të ecim me rindërtimin e shtëpive të para, për të kaluar më pas tek pallatet”.

Në Njësinë 2 janë rreth 500 pagesa cash për dëmet DS1, DS2 dhe DS3.

Tv Klan