“Në trupin e Navalny u gjetën shenja helmi”

Klinika gjermane ku ndodhet i shtruar prej të shtunës kreu i opozitës ruse Alexei Navalny, ka dalë me një deklaratë ku thotë se në trupin e tij janë gjetur shenja helmi.

Gjetjet klinike flasin për helmim nga një lëndë që bën pjesë në grupin e substancave aktive të quajtur ‘frenues të kolinesterazës”.

Ndërkohë, dhe zëdhënësi i Kancelares gjermane në një konferencë për shtyp  nuk e mohoi një fakt të tillë duke thënë se me shumë gjasa politikani i opozitës ruse është helmuar, dhe se “meqënëse ekziston një mundësi e caktuar e një sulmi me lëndë helmuese”, mbrojtja personale e Navalnyt është e nevojshme.

Reagime kanë ardhur dhe nga ambasada e SHBA në Moskë, që deklaron se nëse është i vërtetë helmimi i dyshuar i opozitarit rus, kjo do të përbënte një moment të rëndë për Rusinë, dhe populli rus meriton t’i shohë të gjithë ata që janë përfshirë të vihen para përgjegjësisë.

Navalny, kundërshtar i njohur i Presidentit rus Vladimir Putin, u sëmur rëndë të enjten. Ai ishte duke udhëtuar për në Moskë nga Siberia kur gjatë fluturimit ai u ndje keq dhe avioni bëri ulje urgjente në Omsk të Siberisë. Ndihmësi i tij tha se Navalny kishte pirë çaj në një kafene të aeroportit. Të shtunën ai u dërgua me urgjencë në Gjermani ku po trajtohet në një spital të Berlinit.

Tv Klan