Alban Ramosaj fiton Kënga Magjike!

Kupa Magjike për këtë edicion të 22 të festivalit Kënga Magjike shkoi për Alban Ramosaj, me këngën “Thikat e mia”.

Mes lotësh, Alban Ramosaj tha se e kishte menduar këtë moment dhe nuk mund ta besonte që ishte bërë realitet.

“O mam e fitova… faleminderit të gjithëve! E kam mendua këtë moment dhe nuk po më besohet akoma, nuk kam fjalë. Faleminderit nga shpirti, nga zemra, më rikujtuat arsyen përse bëj këtë që bëj. Ju falenderoj nga shpirti edhe njëherë. Ndihem më i vlerësuar se kurrë, jam pa fjalë. ”

Unë tani nuk e di çfarë po them, do çohem nesër do them çfarë thashë, mund të kisha thënë diçka tjetër…Dua të falenderoj bashkëpunëtorët, Fifi, Bruno, Flori, çunat të gjithë… të gjithëve që më votuan, por dikë dua të falënderoj më shumë, është ajo që e thashë pak më herët: Mam ku je, kjo është për ty! Është për gjithçka ke bërë për mua, faleminderit”

Urban Band rrëmbejnë çmimin Best New Artist

Çmimi Best News Artist në këtë edicion të 22-të të festivalit Kënga Magjike, shkoi për grupin Urban Band me këngën “Edhe një natë”.

Emrin e fituesit e shpalli anëtari i jurisë së festivalit, Arben Skënderi.

“Kemi hasur një nivel shumë të lartë artistik tek gjithë kategoria New Artist këtë vit, ka qenë shumë e vështirë për ne deri në këtë moment që po e them unë. Tashmë vendimi është marrë, mua më duhet vetëm ta them. Po përfitoj nga rasti për një gjë të vogël. Do doja shumë dhe do donim shumë të gjithë që në vitet e ardhshme, që nga viti i ardhshëm, të shihnim të rinj me një energji tjetër, me një energji që i këndojnë jetës, dashurisë, një energjisë që i përkon brezit të tyre, të ardhmes së tyre, muzikës, artit dhe të kënduarit të jetës në këtë formë. Kemi vendosur që këtë vit çmimin e parë, çmimin New Artist, t’ia japim Urban Band”, tha Skënderi.

Djemtë e Urban Band triumfuan në mesin e 16 artistëve të rinj që konkurruan përgjatë dy netëve gjysmëfinale të këtij festivali.

Çmimi Best Big International Artist shkon për Nutsa

Çmimi Best Big International Artist në këtë edicion të 22 të festivalit ndërkombëtar, Kënga Magjike, shkoi për artisten nga Gjeorgjia, Nutsa.

U menduam njëzëri për një emër të vetëm”, tha Jonida Maliqi teksa shpalli fituesen.

“Faleminderit shumë, jam shumë e lumtur, kam shumë emocione. Dua t’jua kthej mbrapsht të gjithë dashurinë që Shqipëria më dha. Ju dua shumë, do të kthehem sigurisht përsëri në Shqipëri. Falenderim më të madh për Arditin që është producenti më i mirë, njeriu më i mirë. Faleminderit shumë”, tha artistja nga Gjeorgjia.

Festivali modern i këngës shqiptare tërhoqi edhe këtë vit interesin e artistëve nga Europa. 8 ishin artistët Big International nga Greqia, Italia, Kroacia, Spanja, Belgjika dhe Gjeorgjia që performuan këtë vit në Kënga Magjike.