Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është kundër askujt, e aq më pak partnerëve të Kosovës.

Në mbledhjen e qeverisë, Kurti ka thënë se do te vijoje konsultimet me partnerët ndërkombëtare për këtë çështje, por Kosova është shtet normal dhe se si i tillë duhet t’i ketë edhe urat normale, të hapura.

“Me komandantin e KFOR-it mbrëmë kemi biseduar edhe për hapjen e Urës mbi Ibër, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, rezultatet përkatëse që i kemi ndarë dje menjëherë edhe me komandantin e KFOR-it dhe ekipin e tij në frymën e konsultimeve dhe koordinimeve të vazhdueshme. Qeveria dhe unë besojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Do të vazhdojmë diskutimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës s’është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, ka thënë Kurti.

Partnerët ndërkombëtarë kanë kritikuar Kosovën duke e cilësuar planin si “veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar”. Edhe KFOR-i ka thënë se çfarëdo vendimi për hapjen e urës duhet të merret në dialog.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, u shpreh se ekziston rrezik me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë. Sipas tij, kjo mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

Klan News