Kuvendi voton me 66 vota kabinetin “Kurti”

Pas dhjetë vjetësh që i kishte hyrë politikës dhe gjithmonë ka qenë në opozitë, Albin Kurti arriti të marrë 66 vota të deputetëve për formimin e qeverisë, ndërsa 10 deputetë abstenuan.

“Sot pushtetin e shtetin e ka fituar populli sepse atij i takonte”, tha Kryeministri i ri i Kosovës.

Ndonëse negociatat ishin të vështira ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, afër katër muaj pas zgjedhjeve këto dy parti nisën rrugëtimin katër vjeçar për bashkëqeverisje.

Ndonëse fillimisht të dyja partitë kishin premtuar zvogëlimin e ministrive në 12, kabineti qeveritar i Kurtit përbëhet nga 15 ministri, 6 prej të cilave i takojnë partisë së Kurtit, 6 LDK-së, 2 Listës Serbe dhe 1 komuniteteve të tjera.

Në prezantimin e programit qeverisës, Kurti tha se ndër pikat më të rëndësishme të qeverisjes së tij do të jetë zhvillimi ekonomik.

Gjatë fjalimit të Kurtit, deputetja e PDK-së Ganimete Musliu ka vendosur në xhaketën e Kurtit flamurin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë.

Fjalën Kurtit paraprakisht ia kishte dhënë kryetari i parlamentit Glauk Konjufcai, i cili menjëherë e la nënkryetaren e Kuvendit Arbërie Nagavcin që të udhëheqë seancën.

Më pas nga ulëset e Kuvendit ai ka nënshkruar dorëheqjen e tij. Ky post pritet t’i takojë Vjosa Osmanit të LDK-së, ashtu siç ishin marrë vesh paraprakisht partnerët e koalicionit qeverisës.

Gjatë seancës Kurti u akuzua nga deputetët e opozitës kryesisht ata të PDK-së se ka harruar bashkimin kombëtar.  

“E vërteta e parë është se si po ua lëmë Kosovën sot, të cilën ti Albin Kurti as nuk e njeh, as nuk e ndjen dhe as nuk e mendon si vend për të jetuar“, tha deputeti i PDK, Kadri Veseli.

“Harro që mundesh me bë ndonjë marrëveshje kundër Kosovës, nuk e kemi lënë Hashimin e as ty nuk do të lejojmë”, tha deputeti i Nismës, Fatmir Limaj.

Deputetët gjithashtu kanë lëshuar në seancë deklarata të mëhershme të anëtarëve të LVV-së kundër LDK-së, kryesisht kreut të saj Isa Mustafa.

E befasishme në këtë seancë ishte edhe votimi për qeverinë Kurti nga dy deputetët e AKR-së të cilët nuk janë pjesë e koalicionit qeveritar.

Tv Klan